Në komunat veriore dhe në pjesë tjera të vendit, është rritur dukshëm interesimi dhe numri i serbëve që po pajisen me pasaportë të Republikës së Kosovës.
Por në rast se miratohet një propozim i Komisionit Evropian, ata nuk do të kenë më nevojë për pasaportën kosovare.
Komisioni Evropian ka propozuar që të liberalizohen vizat edhe për qytetarët që jetojnë në Kosovë por kanë pasaportë të Serbisë që lëshohet Zyra Koordinuese e Ministrisë së Brendshme.
Por si është e mundur që Bashkimi Evropian ta njoh si legjitime një pasaportë që qyteteve të Kosovës iu referohet si Republika e Serbisë? Kjo është pyetja për të cilën nuk ka ofruar përgjigje Komisioni Evropian.
“Propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli. Pasi të miratohet, do të lejojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mbulohen nga një regjim pa viza kur udhëtojnë në BE”, ka thënë zëdhësja e KE-së për cësthjet e brendshme, Anitta Hipper.
Qeveria e Kosovës është e shqetësuar nga ky propozim, për të cilin thotë se nuk është informuar e as konsultuar, derisa propozimin e quan shkelje të sovranitetit, minim të intergrimit të serbëve.
“Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale. Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel…
Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta”, ka thënë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.
Shqetësim të njëjtë ndajnë edhe 21 organizata jo-qeveritare.
Ato i kanë dërguar një letër kundërshtuese komisioneres evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson dhe zyrtarëve të tjerë të BE-së, duke argumentuar se plani i KE-së është i gabuar dhe i dëmshëm.
“Lëndimi i qëllimit të zbatimit të marrëveshjeve të cilat janë arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi…e dëmton në njëfar mënyre edhe e sfidon integrimin e qytetarëve në përgjithësi edhe mundet me i stimulu strukturat paralele në veri që me e bo pengimin e mëtutjeshëm të integrimit të serbëve…(BE) ka me instalu një precedent shumë të rrezikshëm duke e legjitimuar pretendimin territorial të Republikës së Serbisë karshi Kosovës”, ka thënë Arbresha Loxha, nga GLPS.
Bashkë me qytetarët e Serbisë edhe serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë.