Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar ditën e djeshme se marrëveshja për energjinë elektrike me Kosovën është drejt përfundimit. Ai ka thënë se kanë zhvilluar biseda me KEDS-in për prezencën e saj në veri të Kosovës. Mirëpo, kjo kompani nuk ka pohuar por as mohuar një gjë të tillë. Kurse për këtë çështje, Qeveria e Kosovës ka heshtur.
Oferta e Aleksandar Vuçiq-it ndaj Kosovës për këmbimin e energjisë elektrike me linjit, u refuzua.
Por, presidenti serb ka vazhduar të merret me këtë sektor.
Të premten, ai ka deklaruar se një marrëveshje për energjinë në pjesën veriore të Kosovës është në fazën finale.
Vuçiq ka thënë se kanë zhvilluar bisedime me Kompaninë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe se është arritur një pajtueshmëri.
“Sot kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in, për prezencën në veri të Kosovës. Për këtë jemi dakorduar. Shpresojmë se ka mbetur vetëm ana teknike dhe do të kemi rezultate të mira në ditët në vijim”, ka thënë Aleksandër Vuçiq, President i Serbisë.
KEDS-i nuk i ka pohuar e as mohuar deklaratat e Vuçiqit.
Zëdhënësi i kësaj kompanie, Viktor Buzhala, në përgjigjen e tij për RTV Dukagjini nuk ka dhënë detaje.
“Çështja e energjisë elektrike në veri të vendit ka qenë subjekt i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga fillimi i dialogut. Çdo marrëveshje e arritur do ta ndryshonte situatën për të mirë”, ka thënë Viktor Buzhala, Zëdhënës i KEDS-it.
Për këtë çështje nuk është deklaruar akoma Qeveria e Kosovës. Ekzekutivi nuk ka kthyer përgjigje në pyetet e televizionit.
Por, pretendimet e ngritura kanë nxitur reagimin e anëtarëve të shoqërisë civile.
Eugen Cakolli ka thënë se është e papranueshme që një kompani private të lejohet të negociojë me Serbinë për çështjen e faturimit të energjisë në veri.
“Çështja e energjisë në pjesën veriore të vendit është ndërshtetërore, sepse për të janë arritur marrëveshje mes dy vendeve. Edhe zgjidhja e problemit të tanishëm të mosfaturimit duhet të bëhet mes shteteve, e jo mes njërit shtet dhe një kompanie private në shtetin tjetër”, ka thënë Eugen Cakolli, KDI.
Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për energjinë në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar deri më tani.
Aktualisht, qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.
Borxhin atyre u’a paguan shteti i Kosovës, buxheti i të cilit mbushet nga taksapaguesit e vet.