Në Komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, procesi i votimit për largimin ose jo të kryetarëve ka dështuar, për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve.
Qeveria e Kosovës ka reaguar të hënën duke theksuar se Lista Serbe, që ishte shkaktare e zgjedhjeve të mëparshme dhe iniciatore e këtij procesi, sërish ka refuzuar të marrë pjesë, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar.
Qeveria e Kosovës ka shprehur keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votim dhe falënderon ata që e ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore.
“Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Megjithatë, rezultatet e votimit sipas Qeverisë treguan mungesën e vullnetit për të shkarkuar kryetarët aktualë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore. Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë” ka theksuar Qeveria.
Pas këtij votimi, Qeveria e Kosovës ka thënë se është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht.
“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet tutje nga Qeveria.
Po ashtu, Qeveria ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me kryetarët aktualë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre ndaj qytetarëve të katër komunave të përmendura.
Sipas reagimit të qeverisë, përfundimi i këtij procesi shënon përmbushjen e obligimeve të Kosovës ndaj qytetarëve të saj dhe angazhimin për deeskalimin e situatës në veri të vendit.