Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot qeveria i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.
Në mbledhjen e qeverisë, Kurti ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i ka dërguar notë verbale Këshillit të Evropës (KiE).
“Andaj, sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës të zbatojë vendimin e Kushtetueses. Ministrja Gërvalla i ka dërguar notë notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se procesi i vendimmarrjes për anëtarësimin e Kosovës do të përfundojë në maj.
“Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e komunitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave, në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, ka vijuar Kurti.
Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Sipas tij, Qeveria ka qenë para dy opsioneve, “të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar”.
Ndonëse vendimin Kurti vazhdon ta cilësojë të dëmshëm, ai ka theksuar se pranimi në KiE do të ishte fitore historike dhe hap gjigant për Kosovën.
Ndryshe, Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.
Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me të cilin, ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.
Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.
Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet “sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.
Ata shpjegojnë se në vitin 1997 atyre iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.
Ata, po ashtu, kujtojnë se “në kohën e Milloshevqit”, nga viti 1991 deri më 1999, janë sjellë mijëra gjykime ligjore për mosmarrëveshje të ndryshme dhe pyeten nëse të gjitha ato do të anulohen.