Qeveria i kundërpërgjigjet BE-së: Raportin për Banjskën e kemi dorëzuar qysh në vitin e kaluar

"Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë", ka deklaruar Kryeziu

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka dërguar një raport 48-faqësh në Bashkimin Evropian dhe secilin shtet anëtar të saj qysh në vitin e kaluar në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.

Kështu i është kundërpërgjigjur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, për deklaratën e dhënë se Kosova ende nuk i ka dorëzuar raport BE-së për sulmin në Banjskë.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, brenda kompetencave tona, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë qysh vitin e kaluar. Këtë informacion besoj që zëdhënësi Stano duhet ta ketë”, ka deklaruar Kryeziu.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Kryeziu ka thënë se nëse është fjala për raport që duhet të përgatitet nga Prokuroria Speciale, për këtë duhet të kërkohet përgjigje nga ky institucion, pasi sipas tij është shqetësuese që 9 muaj pas sulmit në Banjskë ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë.

“Nëse ai në deklaratat e tij të vazhdueshme e ka fjalën për raportin që duhet të përgatitet nga prokuroria e vendit, atëherë kjo është një çështje për të cilën duhet të kërkojmë përgjigje nga vetë ky institucion. Për ne, mbetet tejet shqetësuese dhe e pakuptimtë që edhe pas 9 muajve, në njërën anë nuk ka aktakuzë nga prokuroria e vendit për Millan Radoiçiq dhe në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve që dëshmojnë përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023. Rikujtojmë që Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik potencial i vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, ka vijuar ai.

Ndryshe, sot zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se Kosova ende nuk e ka dorëzuar një raport të plotë hetimi në lidhje me sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me sanksionimin e Serbisë në lidhje me këtë sulm, ai ka thënë se kjo nuk mund të bëhet pa pasur rezultatet e plota të hetimit.

“Në lidhje me hetimin ( për Banjskën). Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se ky raport ndonëse është përfunduar apo jo, ende nuk u është dorëzuar atyre.

“Menjëherë pas sulmit dhe ditë, javë e muaj më vonë, kemi bërë të qartë pozitën tonë se çka presim nga dy palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme ose mbështetjen e këtij sulmi të tmerrshëm nga ana serbe. Përsëri e gjithë kjo duhet të jetë objekt hetimi, dhe gjetjet do të përfshihen në raportin final, i cili me gjasë nuk është përfunduar ende ose të paktën, nuk na është vënë në dispozicion deri në këtë fazë”, ka vijuar Stano.

Ndryshe, më 24 shtator, një grup terrorist i udhëhequr nga Millan Radojçiq e vranë rreshterin e Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

Në përleshjen e armatosur që pasoi, u neutralizuan edhe tre terroristë serbë.

Kurti tha, atëkohë, se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk mund të vazhdojë, sikur nuk ka ndodhur asgjë në Banjskë.

Ani pse janë disa të arrestuar për sulmin në Banjskë, ende nuk ka aktakuzë të ngritur.

Një e tillë pritet edhe ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ai kishte pranuar publikisht organizimin e sulmit, megjithatë vazhdon të jetë i lirë në Serbi pasi është larguar nga Kosova pas sulmit.

BE-ja thotë se Kosova ende nuk dorëzoi një raport për sulmin terrorist në Banjskë

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika