Qeveria kërkon ndryshim të prioriteteve në raport me dialogun Kosovë-Serbi, pas sulmit në Banjskë

Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ka ndryshuar prioritete dhe kërkesat e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë. Pas këtij sulmi, prioritetet e qeverisë janë ndryshuar duke përqendruar vëmendjen te siguria dhe sanksionet ndaj Serbisë, ndërsa Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të kalojë në fushën e ndikimit të ShBA-së, siç ka thënë presidentja, Vjosa Osmani. Por, debatet për Asociacionin kanë ndarë opinionin në vend. Ndërkaq, ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka insistuar që prioritet duhet të jenë sanksionet ndaj Serbisë, gjersa kritika ka shprehur edhe ndaj BE-së për mënyrën e ndërmjetësimit

Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic, i ka ndryshuar prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Para vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe(AKS), nga ekzekutivi kanë thënë se nuk mund të ketë vëmendje për aq kohë sa mungon siguria dhe sanksionet ndaj palës tjetër në dialog.

Pra, prioritet është garantimi i sigurisë brenda territorit të Kosovës dhe sanksionet ndaj Serbisë.

“Topi” për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë do të duhej të kalonte në fushën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) – së paku sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Omani.

Presidentja Osmani kishte thënë se Kosova duhet që së bashku me ShBA-të ta përgatisë draftin për statutin e AKS-në.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës(RTK), Osmani ka thënë se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve – që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit – nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

Ajo kishte thënë se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me Serbinë “ka vdekur” për ne dhe ndërkombëtarët pas sulmit terrorist në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas të dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime; të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues”, ka thënë Gërvalla.

“Asociacioni i 2013 është kundër Kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet. Escobar shumë qartë e ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që shkelja e Kushtetutës të mos jetë pjesë e marrëveshjes që kemi pranuar në Bruksel. Nuk ndodhi sepse Serbia e ka pasur të qartë që nuk është e gatshme e që i mungon gatishmëria e plotë. E dallojmë BE-në nga SHBA-të sepse SHBA ka qenë më pragmatike në të kuptuarit të realitetit të vendit tonë dhe të Ballkanit. Çdo përpjekje e jona për të sjellë energji dhe rezultate në proces, në fund ju e shihni që jemi pala e vetme që kërkon implementimin e marrëveshjes në Bruksel. Ky dialog nuk çon askund, është qorrsokak”, ka thënë Gërvalla.

Përndryshe, në anën e kryediplomates kosovare qëndron edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke shprehur qëndrimin e saj nëse duhet të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist në veri të Kosovës më 24 shtator.

Ajo ka theksuar se pas këtij sulmi, diskutimet për vazhdimin e dialogut janë të paarsyeshme, duke argumentuar se kërkesat për vazhdimin e dialogut nuk duhet të kishin qenë një prioritet para këtij sulmi terrorist.

Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë

Ministrja Haxhiu ka thënë se është e rëndësishme që pas sulmit terrorist në Kosovë, përqendrimi duhet të jetë në kërkesat për sanksione ndaj Serbisë.

“Diskutimet për Asociacionin sidomos pas 24 shtatorit janë absurde për mua. Kryeministri e ka adresuar edhe në konferencën për media edhe në takimin e fundit në Bruksel ku Kurti kishte shkuar me një plan të sekuencimit në anën tjetër ishte përballur me njëanshmërinë e ndërmjetësuesve dhe natyrisht me qasjen destruktive të [Presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit. Nuk do të ketë Asociacion dhe sidomos pas 24 shtatorit, diskutimet për Asociacionin mendoj që i shkojnë për shtati Serbisë dhe jo Republikës së Kosovës”, kishte thë ministrja Haxhiu.

“Unë mendoj që diskutimet për vazhdimin e dialogut pas 24 shtatorit janë komplet të paarsyeshme, kërkesat që ai të vazhdojë, unë mendoj që nuk është dashur të na vinin. Për faktin që gjithçka para 24 shtatorit ka mundur të jetë ndrysh, ne e kemi ditur kush është Serbia, e kemi thënë në vazhdimësi atë, mirëpo pas 24 shtatorit ku kemi pasur sulm terrorist në territorin tonë ku është vrarë një polic, i gjithë fokusi jonë duhet të vendoset te kërkesa për sanksione ndaj Serbisë, dhe kjo kërkesë i shkon partnerëve tanë, vendeve mike, vendeve që e kanë mbështetur Republikën e Kosovës, sikurse vendet e BE-së, SHBA-ja, që janë partnerët tanë strategjikë”, ka deklaruar e para e drejtësisë kosovare.

Në tjetrën anë, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, njohësi i politikës, Gurakuç Kuçi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “e ka pranuar Asociacionin”, pasi nuk ka mundësi tjetër nga bashkësia ndërkombëtare.

“Albin Kurti është duke e vënë Vjosa Osmanin tashmë për me e pranua atë të cilën e ka pranuar vetë në Bruksel dhe në Ohër, sepse e ka parë që nuk ka mundësi tjetër nga bashkësia ndërkombëtare, përveç se zbatimin e Asociacionit, por vetëm u ka lënë hapësirë sidomos ShBA që Kosova për Asociacionin të ofrojë një plan apo draft-status”, ka thënë Kuqi.

Gurakuq Kuçi, analist politik

Sipas tij, presidentes Osmani i është kërkuar në takime bilaterale që kjo të zbatohet, “ndoshta i është dhënë ndonjë premtim që nuk do të ketë një Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe në këtë mënyrë e ka marrë dritën e gjelbër që Kosova të vazhdojë më tutje, përveç tjerash në atë takim i është bërë me dije që patjetër edhe Kosova ta zbatojë atë. Përveç garancave, i është bërë edhe presion, të dyja mund të themi që kanë shkuar në të njëjtën kohë”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa së fundi, Kuçi në këtë kontekst tha se është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të punojë me ShBA-të për të siguruar mbështetjen dhe këshillën e duhur në procesin e dialogut. Sipas tij, ShBA-të kanë shfaqur interesin e tyre për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është një mundësi e çmuar që Kosova duhet ta shfrytëzojë, dhe si përfundim, Kosova nuk duhet të humbasë momentin e tanishëm për dialog me Serbinë.

“Është shumë e vështirë të rifillohet dialogu pas sulmeve që kanë ndodhur në veri, por kjo nuk duhet t’i japë Kosovës të paktën shkas që të tërhiqet nga dialogu. Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë e artë tani për dialog me Serbinë, sepse ka disa avantazhe të caktuara pas ngjarjeve që kanë ndodhur në veri dhe tani po shohim që kritikat janë duke u kthyer nga Serbia dhe Kosova duhet të angazhohet fuqimisht që kjo të vazhdojë edhe më shumë”, është shprehur ai.

“Nëse Kosova tërhiqet tani ose vazhdon me diplomacinë e vet vetizoluese, siç e ka ndjekur deri më tani, do të humbë momentumin e krijuar. Më mirë është që këto negociata t’i refuzojë Serbia dhe ajo të dalë pala dekonstruktive sesa këtë të bëjë Kosova. Serbia do të mundohet që vazhdimisht ta zgjasë dialogun ndërmjet Kosovës, sepse ajo synimin e ka që Kosova të përfundojë në një konferencë ndërkombëtare, mundësisht kur zgjidhet edhe fati i Ukrainës, dhe Kosovës kjo nuk i konvenon, andaj duhet t’i shfrytëzojë mundësitë e arta me ShBA-të e sidomos tani”, ka përfunduar Kuçi.

Gjithashtu, analisti Arbnor Sadiku në një përgjigje për Portalin Dukagjini rreth kësaj tematike është shprehur se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka kuptuar mesazhin e faktorit ndërkombëtar.

“Vjosa Osmani e ka kuptuar mesazhin e bashkësisë ndërkombëtare dhe ideja është që Kosova ka dy zgjidhje në tavolinë, e para është që të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe të pranohet në shumicën e organizatave ndërkombëtare; dhe e dyta e kundërta e kësaj, ta refuzojë Asociacionin dhe të shndërrohet në një konflikt të ngrirë e ngjashëm me Qipron dhe Palestinën”, ka thënë Sadiku.

Arbnor Sadiku, Analist

Tutje, ai ka theksuar se beson “që pas aktit të fundit terrorist të Serbisë mbi Kosovën, Kurti do ta pranojë më lehtë Asociacionin dhe do ta shesë më mirë te votuesit e Vetëvendosjes”.

“Ajo [Presidentja Vjosa Osmani] ka thënë se ne do ta kemi një koordinim mes dy vendeve për shkak që jemi miq të ngushtë [ShBA-të dhe Kosova], por jo në atë kuptim se tek e fundit, në fund të ditës ky draft do t’i dërgohet Unionit Evropian[BE-së], ideja është që para se të finalizohet ky draft të ketë njëfarë lloj bashkëpunimi në kuptimin e termave të këtij draft-statusi dhe të jemi në koordinim [me ShBA-të] para se ai t’i dorëzohet BE-së, sepse natyrisht Kosova është pjesë gjeografike e Evropës dhe nuk është e ShBA-ve, kështu që besoj dhe as ajo nuk e ka menduar, por i ka ikur si interpretim kur e ka bërë gjatë konferencës për shtyp”, ka përfunduar Sadiku.

Ndryshe, për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e tij, por po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se një pjesë e madhe e tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në Serbi insistojnë në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa në Kosovë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Së voni, bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë mbi Kosovën, duke i kërkuar që të mos vonohet më me formimin e Asociacionit.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kritikuar ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për anshmëri dhe ka thënë se Kosova nuk do të pranojë kushte për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa u zyrtarizuar njohja defacto e Kosovës nga Serbia.

Gjithashtu, përkundër faktit që autoritetet e Kosovës kanë publikuar dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulmin e Banjskës, në të cilin, është vrarë një polic, ndërkombëtarët nuk kanë vënë sanksione ndaj saj dhe kanë kërkuar që dialogu të vazhdojë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika