Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të enjten e 11 majit, do të presë në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kështu ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës, ndërsa sipas komunikatës, takimi Kurti-Lajçak do të mbahet me fillim nga ora 07:30.
Lajçak do të qëndrojë më 11 maj në Prishtinë, ndërkaq një ditë më vonë do ta vizitojë edhe Beogradin.
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Vizita e Lajçakut synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, konfirmoi zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Lajçak udhëton rregullisht në rajon dhe viziton shpesh Prishtinën dhe Beogradin, posaçërisht pas takimeve të nivelit të lartë në Bruksel, për të vazhduar përparimin në atë që është arritur apo për çfarë është pajtuar në Bruksel dhe për të përgatitur hapat e radhës”, ka thënë Stano për REL-in.
“Në këtë kontekst mund të konfirmoj se ai do të jetë të enjten në Prishtinë dhe të premten në Beograd”, ka shtuar ai.
Në takimet në Prishtinë dhe Beograd, Lajçak pritet të takohet edhe me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin.
Kujtojmë se më 2 maj në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës, dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.
Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.
Kosova dhe Serbia më herët gjatë këtij viti kanë arritur Marrëveshjen e Ohrit, që veç tjerash, parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, qëkur procesi ka nisur më 2011. Në të përfshihen edhe dy marrëveshjet për Asociacionin.
Më 2013 dhe 2015, palët kishin arritur marrëveshje për Asociacionin. Por më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke shtuar se marrëveshja mund të harmonizohet me ligjet në fuqi.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë synon normalizimin e plotë të raporteve. Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshinte njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia është shprehur se dëshiron një zgjidhje kompromisi – pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.