Qeveria e Kosovës ka njoftuar se, mbrëmjen e së hënës ka mbajtur mbledhjen e 232-të në mënyrë elektronike.
Sipas njoftimit, në mbledhje të Qeverisë, janë miratuar disa vendime për administratën dhe buxhetin e shtetit.
Së pari, është ndryshuar dhe plotësuar vendimi i Qeverisë Nr. 10/226 të datës 23 tetor 2024 për emërimin e Komisionit Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Barazi Gjinore, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu, janë ndarë mjete buxhetore për Komunën e Kamenicës për organizimin e një vizite në Belfast, të Irlandës së Veriut, me qëllim promovimin e sistemit të arsimit të përbashkët ndërmjet komuniteteve dhe shkëmbimin e përvojave.
Në njoftim po ashtu, thuhet se është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transfer dhe rialokim të mjeteve buxhetore deri në 25% të ndarjes që është ndikuar negativisht në total të kategorive të shpenzimeve për vitin 2024.