Qeveria e Kosovës, të mërkurën e 1 shkurtit duke filluar nga ora 10:00, do të mbajë mbledhjen e radhës.
Ftesën për mbledhje, ministrat e kanë marrë në orët e vona të së martës, pas një mbledhjeje tjetër që u mbajt në mënyrë elektronike, raporton EO.
Ndërkaq, të martën, Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike ka miratuar ndryshimet ne Ligjin për Buxhet që ka të bëjë me vlerën e koeficientit të Ligjit për Paga.
Ky ndryshim i Ligjit do t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim në Komisionet parlamentare e më pas do të bëhet shqyrtimi e miratimi i tij në seancë plenare.
Ligji pritet që në seancë të futet me procedurë të përshpejtuar, pasi deri më pesë shkurt është afati i fundit kur Ligji i Pagave duhet të hyjë në fuqi.
“Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023, ku me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2023 edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2023; dhe – Vendimin për aprovimin e Programit për Reforma në Ekonomi 2023-2025”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Vlera e koeficientit ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës, edhe pse një gjë e tillë ishte premtuar se do të bëhej brenda muajit janar.
Ndërkaq, partitë opozitare kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin në fjalë.