Qeveria e Republikës së Kosovës, të mërkurën e 29 qershorit, ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Në mbledhjen e 85-të të Qeverisë, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.
Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 shtator 2022.
Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë, vendim ky që obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.
Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.
Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 1 gusht e këtij viti.
Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31 tetor të vitit 2022.
Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës.
Për këtë ka njoftuar edhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti, me anë të një postimi në Facebook.
“Me vendim të qeverisë sot rregulluam kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, si dhe veturat me targa të regjistrimit të Serbisë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.
Ndërsa ai ka shtuar se automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror.
Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në vitin 2011 në Bruksel.
Targat serbe me shenjat e qyteteve të kosovës si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), KM (Mitrovicë), janë hequr.
Automjetet me këto targa është dashur të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës).
“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë.
Të njëjtat ishin të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Ndërkaq, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targat RKS.
Atyre u është dashur t’i zëvendësojnë me targa të përkohshme, dhe kësisoj Kosova detyrohej që të lëshonte targa KS të cilat pranoheshin nga Serbia.
Ndryshe, marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes është finalizuar në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016, atëherë kur Kosova kishte pranuar që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.
Ndërkaq, kjo periudhë pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator të vitit 2021.
“Ky ishte afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator, teksa kishte shtuar se këto targa do të konfiskohen.