Sot(e mërkure) më datë 13.03.2024 është mbajtur mbledhja e Qeverisë së Kosovës ku është vendosur për themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë” si Shoqëri Aksionare.
Sipas ministres Artane Rizvanolle, Ndërmarrja Publike Qendrore e Ruajtjes së Energjisë (KRE) ka për qëllim që të ndihmojë në zbatimin e Strategjisë së energjisë 2022-2031 përkatësisht, në lehtësimin e integrimit të burimeve të ripërtërishme në vend.
“Investimi në ruajtjen e energjisë jo vetëm që ndihmon në fleksibilitetin e sistemit energjik por do të jetë i nevojshëm për të përmbushur kërkesat për rezervë të energjisë dhe në një masë të ndihmojë edhe në uljen e importit të energjisë elektrike”, tha Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli tutje theksoi që kjo ndërmarrje, do të jetë e dyta në rajon pas Sllovenisë dhe kompania më e madhe në rajon e kësaj natyre. Gjithashtu, sipas saj kjo ndërmarrje pritet që të zgjerojë veprimtarinë saj në të ardhmen në bazë të nevojave të tregut të rezervave të energjisë.
Gjithashtu, Rizvanolli tha që me modelin e biznesit ndër të tjera ka paraparë misionin, veprimtarinë dhe asetet, analizën e tregut dhe analizën operacionale, planin financiar dhe skemën organizative të ndërmarrjes. Ky model i biznesit parasheh që ndërmarrja do të jetë e vetëqëndrueshme që nga viti i parë pas vënies në punë të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri, duke marrë parasysh nevojën e madhe të vendit tonë dhe të rajonit për këtë lloj shërbimi.
“KRE ka natyrë shumë funksionale të ofrimit të shërbimeve, duke filluar nga arbitrazhi i energjisë deri te shërbimet e ndryshme ndihmëse për balancim të sistemit energjetik”.
Kurse kryeministri Albin Kurti tha se “Programi kompakt parasheh krijimin e një entiteti që do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë 125 megavatë të kapacitetit të sistemit të ruajtjes së energjisë në bateri”.
“Ky entitet është vendosur të jetë një ndërmarrje publike e cila themelohet si shoqëri aksionare sipas ligjeve të Kosovës dhe financohet nga programi kompakt në 5 vitet e para të themelimit të saj”.
Kryeministri Kurti gjithashtu tha se kjo kërkesë është shqyrtuar nga komisioni i ministrave për ndërmarrje publike në mbledhjen e muajit janar 2024, dhe i ka rekomanduar qeverisë themelimin e kësaj ndërmarrjeje, me aksionar të vetëm Qeverinë e Kosovës.