Të mërkurën e 20 korrikut, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 89-të e ka miratuar projektligjin për sanksionet e shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar qëllimin e këtij projektligji që u soll në mbledhjen e Ekzekutivit nga Ministria e Drejtësisë.
“Projektligji ka për qëllim mbështetjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut në përputhje me parimet e të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë ai, raporton EO.
Kurti tha se Kosova është shteti i vetëm në rajon që ka vendosur ta rregullojë këtë çështje.
“Republika e Kosovës është shteti i parë në rajon që e rregullon këtë çështje”, ka shtuar ai.
“Projektligji do të zbatohet ndaj të huajve që janë përgjegjës apo ndihmojnë në kryerjen e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe veprave serioze të korrupsionit që rezultojnë me abuzim të të drejtave të njeriut”, ka theksuar Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se me këtë projektligj, “vendi rreshtohet në radhën e shteteve demokratike”, dhe se ai “ka rëndësi në avancimin e demokracisë”.
Paraprakisht, Qeveria ka aprovuar ekstraktin e procesverbalit dhe transkriptit nga dy mbledhjet paraprake, si dhe draftin e strategjisë për avancimin e komunitetit rom dhe ashkali në Kosovë.
Ndërsa këtë mbledhje, kreu i Qeverisë e ka nisur duke e përshëndetur hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ky vendim na e shton përkushtimin për reforma të transformimit të rajonit tonë, rrjedhimisht edhe Evropës”, ka thënë Kurti.
“Dje ishte ditë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Ju uroj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ne i gëzohemi kësaj arritjeje. Ky vendim na e shton përkushtimin për reforma të transformimit të rajonit tonë, rrjedhimisht edhe Evropës”, ka thënë Kurti.
Kurti e ka përmendur edhe hapjen e Bienales Nomade Manifesta në Prishtinë, që sipas tij, do t’i sjellë Kosovës shumë benefite në fushën e kulturës.
“Manifesta ka një program 100 ditor që përfshin 25 lokacione… dhe 102 pjesëmarrës vendor e ndërkombëtarë.”
Ndër të tjerash, Kurti foli edhe për disa nga arritjet në fushën e kulturës, në fjalën e tij hyrëse.