Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje në mënyrë elektronike të premten e 31 majit, ku janë miratuar disa vendime.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka njoftuar se ka miratuar vendimin për shpronësimin e tokave në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut.
“Vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Vitin e kaluar, serbët lokalë në fshatin Dren të Leposaviqit në veri, protestuan për tri ditë me radhë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheqë vendimin për shpronësimin e tokës në atë zonë, të marrë në mes të janarit 2023.
Gjithashtu, në mbledhjen e Qeverisë është miratuar vendimin për rialokimin e mjeteve në shumën prej 577,900.00 eurosh në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e Programit “Masat Preventive, Intervenime Emergjente nëpër komuna të ndryshme”.
Qeveria i kërkon presidentes t’i japë leje për të nënshkruar dy marrëveshje ndërkombëtare
Gjithashtu, është miratuar vendimi për të kërkuar nga presidentja e Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Projektin “Edukimi në Fëmijërinë e Hershme dhe Kujdesi për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.
Për më tej, është miratuar vendimi për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “KOMPAS – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për Forcimin e Sistemit të Shëndetësisë”.