Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka sqaruar se kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka të angazhuar në total 25 këshilltarë, duke përfshirë edhe ata të jashtëm.
Sipas tij, nga gjithsej 25, tetë prej tyre nuk paguhen nga buxheti i shtetit.
Në një postim në Facebook, Kryeziu e ka mohuar që në kryeministri Kurti i ka 38 këshilltarë të angazhuar.
“Ky raportim i mbrëmshëm nuk është i saktë dhe atë në mënyrë të dyfishtë. Së pari, kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit. Së dyti, kryeministri Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj. Numri total i këshilltarëve të emëruar, përfshirë ata të jashtëm të ish-kryeministrit Haradinaj, sipas të dhënave të muajit janar 2020, ishte 33”, shkroi ai.
Kryeziu theksoi se kabineti i kryeministrit përbëhet nga këshilltarët politikë, nëpunësit e kabinetit dhe këshilltarët e jashtëm. Ata së bashku përbëjnë stafin e kryeministrit.
“Numri 38 i raportuar mbrëmë përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët—pra që nuk janë këshilltarë—, dhe të 3 të tjerë të emëruar të kryeministrit, ku përfshihen kryesuesi i Komisionit Qeveritare për Personat e Zhdukur/Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e Personave të Zhdukur, koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri dhe koordinatorja për funksionalizimin e Fondit Sovran, të cilët kanë mandate të veçanta”, shtoi ai.