Qeveria e Kosovës ka mbajtur sonte(e shtune) mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime me interes.
Ekzekutivi i vendit ka miratuar listën e aplikimeve për rundin 10B të granteve investuese të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për projektet si në vijim: Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë dhe projektin për përmirësimin e rrjetit të transimisionit VII.
Po ashtu në këtë mbledhje, siç njofton Zyra e Kryeministrit, është ndryshuar dhe plotësuar Vendimi i Qeverisë Nr.02/39 të datës 3 qershor 2020.
Në mbledhjen elektronike, është aprovuar Nismën për Amendamentimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për Grantin e Realizimit të Projektit “Mbështetje për Sistemin Shëndetësor të Kosovës”.
Po ashtu sipas njoftimit, në këtë mbledhje janë ndarë mjetet financiare për përmbushjen e obligimit të arbitrazhit për rastin “ICSID me Nr. ARB/17/25, Mabco Contructions”.
Ani se nuk është përmendur shuma financiare në këtë njoftim, mësohet se bëhet fjalë për mbi 7 milionë euro.
Gati 20 vjet pas tentativës së dështuar për privatizimin e Hotelit Grand në Prishtinë, shteti i Kosovës ka paguar mbi 7 milionë euro kompanisë Mabco Construction, që fitoi gjyqin në arbitrazhin ndërkombëtar në fillim të janarit.
Kjo kompani, në pronësi të Behgjet Pacollit, deputet dhe ish-president i Kosovës, pretendon se i është bërë padrejtësi, pasi ka paguar për aksione të hotelit që nuk i mori kurrë, pati shkruar REL.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës qe pranuar se do të duhet ta kryejë këtë pagesë, por ka theksuar se “Grandi do të mbetet në pronësi të Kosovës”.