Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill do të ndahen nga 100 euro, për studentët, pensionistët si dhe për punëtorët e sektorit privat dhe publik.
Këtë e ka bërë të ditur në konferencë për media të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kurti, po ashtu, deklaroi se për pensionistët dhe punëtorët e sektorit publik shtesa prej 100 euro për muajin prill mund të ekzekutohet menjëherë, ndërkaq për punëtorët e sektorit privat dhe studentët nevojitet që të hapet procesi i aplikimit.
“Për muajin prill do të dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfshihen në asistencë sociale. Pensionistëve do t’ua ndajmë edhe nga 100 euro shtesë për muajin prill, për të gjitha shtresat”.
“100 euro do t’i ndajmë për punëtorët e sektorit privat, do të ndajmë shumën prej 100 eurove edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Po ashtu, të gjithë studentët do të përfitojnë nga 100 euro. Për shtresat e cenueshme do të shpërndajmë mbi 80 mijë euro”, tha Kurti në konferencë për media.
Kurti theksoi se nga kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë, derisa bëri të ditur se do të miratohet projektligji për rritjen e pagës minimale dhe heqjen e tatimit në 250 euro pagë.
“Vlera totale e të gjitha këtyre është mbi 100 milionë euro. Nga këto masa do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës”, theksoi ai.
Kurti paralajmëroi se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, e cila do të mbahet të mërkurën, do të miratohet projektligji i cili do t’i hapë rrugë ligjit të pagës minimale në vlerë prej 264 euro bruto, apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë.
“Pra edhe do ta rrisim pagën minimale edhe do ta lirojmë nga tatimi, e nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë të Kosovës, kurse prej heqjes së shkallës së parë tatimore do të përfitojnë të gjithë punëtorët”, ka deklaruar ai.
Kurti, gjithashtu, tha se edhe në të kaluarën ka pasur rritje ekonomike, por nuk është vërejtur pasi nuk është shpërndarë te qytetarët.
Në anën tjetër, ministri i Finanacave, Punës dhe Transferave, Hekuran Murati, ka thënë se përfitues nga kjo pako ekonomike do të jenë të gjitha kategoritë të cilat janë përballur me vështirësi ekonomike. Ndërsa për studentët dhe për sektorin privat ai tha se do të hapet aplikimi në ditët në vijim pasi nuk janë në dispozicion të dhënat e llogarive banakare.
Gjithashtu, Murati, u ka bërë thirrje punëdhënësve të sektorit privat që t’i rrisin pagat për punëtorët e tyre.
Megjithatë, sipas Muratit, për mbështetjen që Qeveria ka paralajmëruar duhet të bëhen edhe disa ndryshime ligjore.
“Duhet të kemi edhe disa ndryshime ligjore. Fillimisht është marrëveshja me Bankën Botërore që duhet të ratifikohet në Kuvend pastaj, është ligji për pagën minimale i cili do të prezantohet në mbledhjen e radhës së Qeverisë si dhe është ligji për rishikimin e buxhetit”, ka shtuar ai.
Ligji për pagën minimale, sipas Muratit, përveç që rrit pagën, ofron edhe rritje të pagës neto për të gjithë punonjësit