Paralajmërimet e Bankës Qendrore të Kosovës që viti 2025 mund të përmbyllet me rritje ekonomike prej rreth 4.2 deri ne 4.4%, ekonomistët vlerësojnë se kjo nuk përkthehet në një përmirësim të ndjeshëm të mirëqenies së qytetarëve, për shkak të inflacionit të lartë dhe kostos së lartë të jetesës, raporton Ekonomia Online.
Ekonomisti Besnik Avdiaj tha për Ekonomia Online se ndonëse një rritje e tillë do të konsiderohej solide në vendet e zhvilluara, në Kosovë ajo nuk e reflekton realisht fuqinë blerëse të qytetarëve.
Sipas tij, qytetarët vazhdojnë që të përballen me çmime të larta kur shkojnë në markete, në furra të bukës, në pompa të derivateve vetëm për faktin se kostoja e tyre e jetës po e tejkalon dukshëm mundësin për të gjeneruar të hyrat që kanë.
“Një rritje ekonomike ndërmjet 4 dhe 5 për qind në shumë vende të botës demokratike është rritje solide, është rritje stabile ekonomike e cila e mbulon koston e jetës e cila vazhdimisht ngritet sepse nuk mund të kemi ngritje ekonomike pa ngritje standardi të konsumit. Mirëpo, kur e shohim që Kosova është një vend që edhe sot vazhdon që t’i vuaj pasojat e një tranzicioni të pas luftës dhe me përballje me krizat e ngritjes së çmimeve dhe inflacionit, një ngritje e tillë ekonomike nuk e pasqyron edhe ngritjen reale të fuqisë blerëse të qytetarëve. Që nënkupton që ne mund të kemi një rritje 4.2 deri 4.5 për qind, por qytetarët po vazhdojnë që të përballen me sfida kur shkojnë në markete, në furra të bukës, kur shkojnë në pompa të derivateve, vetëm për faktin se kostoja e tyre e jetës po e tejkalon dukshëm mundësin për të gjeneruar të hyra më shumë në emër të rritjes ekonomike”, tha ai.
Avdiaj shtoi se një rritje ekonomike e mjaftueshme duhet të ishte të paktën dyfishi i kësaj shifre, për të stimuluar investimet dhe prodhimin vendor.
“Në terma nominal nuk është rritje e vogël por në terma real me shumë gjasa që është më e vogël se sa në termat numerik. Një rritje solide për Kosovën duke marr parasysh edhe faktorët e inflacionit, pra të rritjes së çmimeve, kostos së përgjithshme të jetës do të duhej të ishte të paktën dyfishin e kësaj, për të stimuluar investime dhe për të stimuluar konsumin vendor, pra të prodhimeve vendore për shkak se ne dimë që rreth 85 për qind kemi import. Për ta përkthyer ndryshe i bije që paranë tonë po e dërgojmë jashtë vendit, kjo rritje ekonomike nuk është një pasqyre reale e rritjes, pra fuqisë blerëse e qytetarit”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Edhe ekonomisti Bashkim Mustafa shprehet kritik ndaj mënyrës se është menaxhuar ekonomia nga qeveria.
Ai shtoi se inflacioni i lartë dhe mungesa e masave të duhura kanë vështirësuar jetesën për qytetarët, ndërsa sipas tij, qeveria nuk ka arritur të indeksojë të ardhurat në raport me rritjen e çmimeve.
“Nëse i bëjmë një vlerësim qeverisjes aktuale për masat e ndërmarra në raport me aspektin ekonomik atëherë as nuk është e mjaftueshëm as nuk është e duhura kjo rritje ekonomike. Sepse nuk i plotëson as nevojat elementare të rritjes ekonomike dhe të kërkesës agregate të përgjithshme se sa i duhet qytetarëve të vendit dhe ekonomisë së vendit. Rritja e lartë e shkallës së inflacionit e projektuar më e larta ndonjëherë në 20 vitet e fundit, masat jo të duhura kanë vështirësuar jetën e secilit qytetar në vend. Nuk i plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të vendit, e nuk është arritur as indeksimi i nivelit të të ardhurave në raport me shpalljen e inflacionit”, tha ai për Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se një ndër hapat e parë që duhet të marrë qeveria e re është të ndal përkeqësimin e situatës ekonomike përmes politikave që ndihmojnë qytetarët të përballojnë shpenzimet mujore pa u detyruar të marrin kredi bankare.
“Hapat e parë që duhet t’i merr çdo qeveri që vije të ndal depresion te njerëzit për shkak të rritjes së madhe të çmimeve, duke e indeksuar nivelin e të ardhurave së pari në sektorët publik, të krijoj politika stimuluese në sektorin privat, që t’u jap hapësirë që njerëzit mund të përballojnë muajin nga muaji në muaj në nivelin e të ardhurave që i kanë. E jo të orientohen në sistemin bankar, të marrin kredi për të mbuluar nevojat e shpenzimeve ditore”, tha ai për Ekonomia Online.