Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi.
Arsyetimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të Ejupit para kabinetit qeveritar, e ka dhënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Sot para jush paraqes propozim-vendimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të drejtori të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi. Mosaprovimi i raporteve vjetore të AAC-së nga Kuvendi i Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të Ejupit nga ana e Bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë si dhe një varg shkeljesh tjera, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundim të parakohshëm të mandatit të tij”, ka theksuar Durmishi.
Vendimi për shkarkimin e Ejupit është përshëndetur nga Sindikata e punëtorëve të AAC-së, edhe pse ata e kanë quajtur vendim të vonuar, shkruan EO.
“Vendimi vjen pas tre vjetësh me një numër të madh shkeljesh profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit të sinjalizuara nga Sindikata jonë të cilat janë vulosur edhe nga trupa ndërkombëtare që kanë vërtetuar se nën udhëheqjen e tij, AAC-ja ishte bërë pothuajse jofunksionale. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dy vite radhazi nuk i miratuan Raportet vjetore të AAC. Ky është largimi i tretë nga detyra në fushën e aviacionit për Bujar Ejupin. Urojmë që Ejupi të mos ketë më mundësi t’i afrohet institucioneve publike e as të lejohet të ketë autoritet ndaj të tjerëve, për shkak të veprimeve të tij përndjekëse e diskriminuese të ushtruara ndaj zyrtarëve të AAC të vërtetuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit”, thuhet në reagimin e Sindikatës pas vendimit për shkarkim të Ejupit.