Dhjetëra ditë i ishin dashur Qeverisë për ta gjetur vendimin dhe për t’ia treguar publikut emrat e anëtarëve të Ekipit Menaxhues për Asociacionin, ndërsa vetëm një ditë për ta shkarkuar atë.
Rezervat rreth përbërjes së ekipit të emëruar nga qeveria paraprake, ka javë që kryeministri Albin Kurti i ka shfaqur.
Por, anëtarët e tij janë liruar nga detyra vetëm pak orë pasi prezantuan draftin në takimin e mbrëmshëm mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues”, ka thënë Elbert Krasniqi, ministër i MAPL-së.
Por, nuk dihet se çfarë hapa tutje do të marrë Qeveria pas shkarkimit të Danijela Vujiciqit, Jelena Boloviqit, Igor Kalamarit dhe Dejan Radojkoviqit.
Ekzekutivi në një përgjigje për Dukagjinin të mërkurën nuk ka treguar nëse do të themelohet një ekip i ri, por vetëm përsëritur deklaratat e mbrëmshme të Kurtit.
“Ekipi menaxhues u dekomisionua përfundimisht sot me vendimin e ministrit Krasniqi për t’i liruar nga detyra anëtarët e këtij ekipi që derivonin nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Dje në Bruksel Kryeministri Kurti ka paraqitur visionin e tij për nenin 7 të Marrëveshjes Bazë, që është propozim vleror, që ruan kohezionin e brendshëm, është gjithëpërfshirës dhe nuk e lë askënd prapa, dhe ne besojmë që është mirë që sa më parë të fillojmë diskutimet mbi bazën e propozimit tonë”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Shkarkimin e ekipit menaxhues e ka mirëpritur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka krituar qeveritë e kaluara që kanë emëruar atë.
“Pra, po e shini edhe vetë se çfarë ekipe menaxhuese edhe çfarë institucione kanë vendosur qeveritë e mëparshme. Kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Drafti i dorëzuar, sipas Presidencës së Kosovës i ngjan statutit të Vojvodinës në Serbi.
“Synimi i tyre duket se është rikonstituimi i autoritetit autonom të Serbisë në Kosovë, njëlloj si Vojvodina, me synim të anulimit të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Blerim Vela, Shef i stafit të Presidentes.
Zhvillimet e së martës, analisti politik Artan Muhaxhiri i quan performancë politike të nevojshme për të arritur te qasja serioze.
Ai thotë se palët janë pajtuar për domosdoshmërinë e kalimit të kësaj faze që e quan preliminare.
“Tani është një fazë tjetër ku edhe Z. Escobar, Z. Borell dhe Z. Lajçak do të punojnë së bashku me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq që të shkohet drejt një gjetjeje të versionit substancial i cili është i pranueshëm për të dyja palët. Pra, do të ketë shumë punë, tani do të hyjnë në funksion edhe ato elementet e modeleve që janë përmendur”, ka deklaruar ai.
Ekipi menaxhues i shkarkuar është emëruar në shtator të vitit 2020 me vendim të ministrit të atëhershëm të MAPL-së, Goran Rakiq.