Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka marrë vendim që ta shpërbëjë Ndërmarrjen e Re Energjetike të Kosovës (NKEC).
Kjo ndërmarrje prej vitesh ishte pa funksion, por vetëm brenda vitit 2022 ia ka harxhuar buxhetit të shtetit afër 100 mijë euro në paga për shtatë anëtarë të saj.
Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC) është themeluar si shoqëri aksionare në vitin 2018 nga Qeveria e atëhershme, me qëllim të marrjes së të gjithë energjisë elektrike të prodhuar nga Termocentrali “Kosova e Re”, si ndërmjetësuese në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, kompani kjo që ishte angazhuar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Pas shkëputjes së marrëveshjes në mes të Qeverisë Kurti dhe Contour Golbal, stafi i NKEC vazhdon të paguhet, pa punuar.
Stafi i NKEC përbëhet nga Bordi i Drejtorëve – 5 anëtarë, drejtori ekzekutiv, ud i drejtorit të Shërbimeve Korporatave, si dhe zyrtari për Financa dhe Kontabilitet.
Sipas Raportit të Auditimit nga ZKA për Ndërmarrjen e Re Energjetike për vitin financiar 2019, kjo Ndërmarrje Publike vetëm për paga kishte shpenzuar 88,725.00, për Bordin e Kryeshefit ekzekutiv dhe dy të punësuar.
Auditori qysh në vitin 2019 kishte rekomanduar se në rast se hiqet dorë nga projekti i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, Bordi i Drejtorëve në bashkëpunim me Qeverinë duhet të kenë vizion të qartë se di do të jetë e ardhmja e ndërmarrjes.
Dy vjet nga ky rekomandim, NKEC vazhdon të funksionojë pa asnjë mandat. Për më tepër, sipas planit buxhetor për vitin 2021, NKEC kishte planifikuar shpenzime prej 702,954.00 eurosh, prej të cilave, 452,970.00 euro për stafin që kishte planifikuar të angazhojë, ndonëse me tërheqjen e Contour Global nga projekti, ekzistenca e kësaj kompanie është bërë e panevojshme.
Ndërkohë, kryshefi ekzekutiv i NKEC, Fadil Ismajli, ka një pagë mujore në vlerë prej 3,500 eurosh, që i ka deklaruar të hyra vjetore në Agjencinë Kundër Korrupsionit në këtë ndërmarrje në vlerë prej 42 mijë eurosh. Anëtarët e Bordit kanë deklaruar paga të ndryshme, disa nga ta rreth 500, 600 dhe 800 euro.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se do “të ndalin gjakderdhjen financiare” në ndërmarrjet publike, mirëpo si duket kjo nuk vlen edhe për NKEC, e cila funksionon pa pasur asnjë punë, shkruan Periskopi.
Kujtojmë që Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 pati arritur marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë.
Por, kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentralit, më 17 mars të 2020 ka njoftuar se është tërhequr nga plani për ndërtimin e termocentralit dhe pati paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për shkëputje të kontratës.