Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kreyziu, ka thënë se institucionet nuk kanë asnjë informacion zyrtar për sanksione nga Bashkimi Evropian apo ShBA. Por, sipas tij, cfarëdo mase kundër Kosovës, është e padrejtë dhe jofer.
“Ne nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar për sanksione. Vazhdojmë të besojmë që çfarëdo mase ndaj Kosovës do të ishte e padrejtë dhe jofer. Është vështirë të arsyetohet se si Bashkimi Evropian mund të ndërmarrë masa negative ndaj Kosovës, të cilën në raportin e tij të fundit për vendit e përshkruan në dritën më pozitive ndonjëherë; si në luftën kundër krimin dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizën ligjore në përputhje me Acquis të BE-së”, ka thënë ai.
Tutje, ai për RTV Dukagjinin ka thënë se situata e tensionuar në veri është si pasojë e ndërhyrjes së Serbisë në cështjet e brendshme të Kosovës.
Sipas tij, Serbia e ka shkelur edhe marrëveshjen e vitit 2013, e cila flet për integrimin e serbëve të Kosovës në institucione.
Po ashtu, sipas tij, Serbia e ka shkelur edhe marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit.
“Situatën që e kemi në katër komunat në veri të vendit e kemi si rezultat i ndërhyrjes së dyfishtë të Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës. Fillimisht duke urdhëruar largimin e serbëve të Kosovës nga institucionet e tyre, gjë që ka shkaktuar automatikisht zgjedhje, dhe pastaj duke diktuar bojkotin e këtyre zgjedhjeve nga serbët lokalë. Kjo sjellje e Serbisë është edhe shkelje e marrëveshjes së vitit 2013, e cila flet për integrimin e serbëve të Kosovës në institucione, por edhe shkelje e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, e cila flet për marrëdhënie normal dhe fqinjësore dhe për njohjen e sovranitetit të njëra tjetër. Situata u përshkallëzua atëherë kur grupe kriminale dhe formacione ilegale dhe paralele sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarë që raportonin nga terreni. Grupe këto me lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin zyrtar dhe formacione ilegale, si e ashtuquajtura ‘Mbrojte Civile’, të cilat me marrëveshje të Brukselit nuk do të duhej të ekzistonin. E megjithatë asnjë vërejte të hapur e të prerë për Serbinë”, u përgjigj ai për RTV Dukagjinin.
Ai theksoi se “Kosova dhe institucionet e saj krejt çka po kërkojnë dhe synojnë është respektim i Kushtetutës dhe sundim të ligjit. Këto janë vlera të Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian ka mision të veçantë në Kosovë për Sundim të Ligjit, të quajtur EULEX”.
Ai tha se pesë pikat e propozuara nga kryeministri Kurti do ta kthenin situatën në normalitet.
“Dje, kryeministri Kurti ka prezantuar dhe publikisht planin e tij 5 pikësh të depërshkallëzimit të plotë të situatës në komunat veriore, sipas së cilit, edhe ruajmë parimin e sundimit të ligjit dhe i hapim rrugë zgjedhjeve të reja, edhe i rikthehemi Dialogut. Synime këto që i ndajmë me partnerët tanë”, ka thënë ai.
“Vlerat dhe parimet e demokracisë dhe sundimi të ligjit nuk janë transaksionale”, vijoi Kryeziu.
Ndryshe, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se blloku nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbush kërkesat ndërkombëtare.
“Ka një sërë masash, apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa prej tyre janë ende duke u diskutuar dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë”, ka thënë Stano në një konferencë për media.
Sipas tij, masat e marra ndaj Kosovës nuk janë sanksione apo masa kufizuese në aspektin klasik.
Stano ka thënë se masat janë të përkohshme dhe janë përgjigje ndaj “dështimit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të marrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.