Qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë dhe është miratuar me shumicë votash.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë dhe përmban pasaktësi faktike e historike, duke theksuar se ekzekutivi po punon që ai të korrigjohet në shkallën e Apelit.
“Për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, si dhe një organizim që i tejkalon dallimet partiake”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se grupi punues do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ndërsa do të ketë përfaqësim institucional dhe parlamentar.
Sipas Kurtit, qëllimi i këtij grupi është bashkërendimi i mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit.
“Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, konsiderojmë se është i padrejtë dhe me pasaktësi faktike, historike, prandaj punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit. Për këtë nevojitet një strategji shtetërore kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake. Për këtë arsye po themelojmë grupin punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se me këtë vendim po konkretizohet zotimi i Qeverisë për t’u angazhuar për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës çlirimtare.
“Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, ka deklaruar Kurti.