Kërkesa është e gjatë për të marrë trajtim, por numri i personelit është i mangët.
Është kjo Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë.
Ndonëse një komunë me mbi 60 mijë banorë, janë vetëm 13 mjekë për të kryer shërbimet mjekësore që ky numër i banorëve kërkon.
Vetëm brenda ditës kërkojnë trajtim afër 500 pacientë, thotë kryeshefi i kësaj qendre, Mustafë Gashi.
“Momentalisht jemi vetëm 13 mjekë. Ky numër është larg numrit normal dhe vështirëson punën tonë”, ka thënë Mustafë Gashi – Kryeshef i QKMF-së në Fushë Kosovë.

Gjendjen edhe më të rënduar në këtë qendër e bën ardhja e pacientëve nga fshatrat përreth.
Shkaku i mungesës së personelit shëndetësor disa qendra në fshatrat e Fushë Kosovës janë mbyllur.
“Atje tash është përuruar një ambulant e re por shkaku i stafit punon vetëm tri ditë në javë”, ka thënë Arlind Imeri – banor.

Puna, kësaj qendre iu vështirësua në fillim të këtij viti kur iu është ndërprerë kontrata e punës 45 profesionistëve shëndetësorë.
E njëjta ndodhi dhe me një kontratë, e cila nuk është vazhduar ende ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe Caritas Kosova.
“Kemi bërë një marrëveshje me Caritas Kosova deri në këtë vit dhe shkaku i ankesave, lënda është në prokurim publik dhe deri sa të përfundojë ne s’mund të ndërrmarim asgjë”, ka thënë Mimoza Shala-Kolshi-Drejtoreshë e Shëndetësisë në Fushë Kosovë.

Bllokada që është bërë dhe mosvazhdimi i kontratave të mjekëve që u punësuan në kohë pandemie, u bë shkas që Komuna e Fushë Kosovës të mbyll dy qendra të Mjekësisë Familjare në dy fshatra.
Derisa personeli aktual shëndetësor në këtë komunë ka anuluara edhe ditët e pushimit vjetor.