Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se gjatë orëve të hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka ndodhur një zjarr në një nga lokalet që gjendet brenda oborrit të QKUK-së.
Sipas një njoftimi nga QKUK-ja përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipi emergjent i zjarrfikësve dhe njësiti Policor i Kosovës.
“Ende nuk dihet se nga çfarë është shkaktuar zjarri. Po ashtu QKUK, njofton qytetarët se klinikat e Qendrës Klinike Universitaret të Kosovës janë duke funksionuar normalisht dhe puna është duke u zhvilluar në rregull”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Zjarri në një lokal në QKUK, parandalohet djegia e një pjese të objektit të Dekanatit të Mjekësisë
Një zjarr ka shpërthyer sot rreth orës 07:15 në një lokal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i cili i ka përfshirë edhe disa objekte ndihmëse përreth tij.
Zëvendësi i komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka thënë se zjarri kishte filluar të ndizej edhe në një pjesë të objektit të Dekanatit të Mjekësisë.
“Sot, në ora 07:15, kemi pranuar informatë se është duke u ndezur zjarr në një lokal. Ekipet e zjarrfikjes dhe shpëtimit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Zjarri kishte shpërthyer në një lokal dhe kishte përfshirë objektet ndihmëse përreth tij. Kishte filluar të ndizej edhe një pjesë e objektit të Dekanatit të Mjekësisë”, ka thënë Gashi për Portalin Dukagjini.
Gashi ka shtuar se zjarrfikësit kanë reaguar në mënyrë të shpejtë dhe profesionale, për kohë shumë të shkurtër zjarri është vënë nën kontroll.
Digjet një lokal brenda oborrit të QKUK-së, Policia: Nuk ka të lënduar
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, për Portalin Dukagjini ka thënë se një objekt(lokal) është përfshirë nga zjarri dhe se nuk ka të lënduar.
Ajo ka bërë të ditur se dëmet janë vetëm materiale.
Ndërsa arsyet se çka e shkaktoi zjarrin, ende nuk dihen.