Njëri prej të plagosurve në Pejë mbrëmë është në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerët janë në gjendje të rëndë, por më stabile sesa i plagosuri tjetër.
I plagosuri në gjendje kritike është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, shefi i Intensivës, Shaqir Uka.
“Pas një intervenimi të gjatë kirurgjik ka ardhë në Mjekimin Intensiv Qendror. Lëndimet e kanë pru pacientin në gjendje shumë të rëndë të shokut, për shkak të gjakderdhjes shumë të madhe që e ka pësu. Gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe kritike”, ka thënë shefi i Intensivës, Shaqir Uka.
Ndryshe, tre persona janë plagosur me armë zjarri mbrëmë rreth orës 21:25 në Pejë.
Të plagosurit u transferuan nga Spitali i Pejës në QKUK në gjendje të rëndë.
Përderisa i dyshuari kryesor për këtë rast, Agron Gashi, 21-vjeçar është në arrati, një person tjetër është arrestuar si i dyshuar për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.
Agron Gashi, me nofkën “Gon Ozdrimi”, rezulton të jetë recidivist i veprave penale.
Kështu ka njoftuar policia në kërkesën për bashkëpunim për kapjen e tij.
Lexo edhe: Plagosja e tre personave në Pejë, policia kërkon ndihmë për kapjen e të dyshuarit