Qosja për vdekjen e Kadaresë: Emri dhe jetëshkrimi i tij janë të pavdekshëm

Profesori, akademiku dhe shkrimtari i madh shqiptar, Rexhep Qosja, ka thënë se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore dhe se do të mbetet personalitet historik i Kombit Shqiptar

Akademiku Rexhep Qosja ka vlerësuar lart veprimtarinë e Ismail Kadaresë, i cili vdiq të hënën, pavarësisht se thotë që me të ka pasur polemika për çështje të caktuara.

Qosja ka folur edhe për raportet e tij me Kadarenë, bashkëpunimet edhe mospajtimet që kanë pasur.

Ai ka përmendur rastin kur i kishte dhënë mbështetje Kadaresë që ishte detyruar të largohej nga Tirana.

“Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris. Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare”, ka shkruar Qosja.

Qosja ka folur edhe për kohën e mospajtimeve, duke thënë se ata që “polemizojnë me njëri-tjetrin, ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri-tjetrin”.

Qosja ka thënë se emri Ismail Kadare dhe jetëshkrimi i tij do të jetë përgjithmonë dhe të pavdekshëm, sepse janë historikë.

“Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë. E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre, Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata”, ka shkruar Qosja.

Shija e redaktorit

 Themelorja lë në fuqi aktakuzën ndaj dy ish-ministrave Endrit Shala...

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe për hudhje të aktakuzës, të parashtruara nga mbrojtja e dy ish-ministrave të...

Ambasada britanike për njohjen e Kosovës nga Sudani: Një moment...

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë përmes një postimi në Facebook e ka uruar Kosovën për njohjen e marrë nga shteti afrikan, Sudani. Ambasada...

Sudani e njeh pavarësinë e Kosovën

Sudani, shtet në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën. Lajmin për njohjen e Kosovës nga Sudani e ka dhënë e...

Të fundit nga rubrika