Përkundër raportimeve të qytetarëve për rritje të faturave të energjisë eletrike, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka mohuar një gjë të tillë.
Në një komunikatë për media, KESCO ka njoftuar nuk ka rritje të faturave të energjisë elektrike, duke theksuar se rritja e fundit e tyre për 15 për qind në krahasim me të një viti më parë, është vendosur më 1 prill.
KESCO thotë se rritja është për shkak se konsumatorët po ngrohen me energji dhe mossubvencionimit nga Qeveria për ata që kursejnë energjinë.
“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike. Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje. KESCO është e përkushtuar në vazhdimësi që të bëjë thirrje për kursim dhe shfrytëzim efikas të energjisë elektrike, duke ndarë këshilla praktike për secilën kategori të konsumatorëve, pikërisht për të mbrojtur konsumatorin dhe sistemin elektrik nga këto ngarkesa”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë për shkak të blloktarifës.
Po ashtu, KESCO-ja ka thënë se vlera e faturës është rritur për shkak se vitin e shkuar Qeveria ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energjinë.
“Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje. KESCO është e përkushtuar në vazhdimësi që të bëjë thirrje për kursim dhe shfrytëzim efikas të energjisë elektrike, duke ndarë këshilla praktike për secilën kategori të konsumatorëve, pikërisht për të mbrojtur konsumatorin dhe sistemin elektrik nga këto ngarkesa. RRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 centë për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 centë për kWh. Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 centë për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 centë për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh”, thuhet tutje.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas ankesave të qytetarëve për faturat e larta të energjisë elektrike për këtë muaj.
Këto fatura, KMDLNj-ja i ka quajtur jonormale, teksa ka kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria e Shtetit.
Në një reagim, KMDLNj ka karakterizuar këto fatura si “jonormale” dhe ka nxitur qytetarët t’i bëjnë publike faturat e tyre për t’i theksuar ndryshimet drastike në çmim.