Qytetarët kujtojnë momentet e rënda gjatë dëbimit me tren nga forcat serbe

Këtë të hënë shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës së viteve 1998-1999, ata u detyruan nga forcat serbe të shpërngulen në Shqipëri e Maqedoni

“Ne kur kemi ardhur në Bllacë jemi mërzitur shumë me fëmijë e burrë, nuk kemi qenë në dijeni se ku janë shkuar familja. Populli në përgjithësi ka hequr keq, e këtu më kujtohet ky lumë, sepse kishim frikë se po na bie ndonjë fëmijë e na mbytet”, rrëfen mes lotëve Nazife Grajqevci, e cila e kishte përjetuar dëbimin me dhunë me tren nga forcat serbe.

Në 24-vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës në Bllacë, Nazife Grajqevci tregon se vuajtjet që janë ballafaquar në momentin kur janë marrë nga forcat serbe, derisa thotë se lutja e vetme që kishte gjatë gjithë kohës ishte të mbijetojë i gjithë populli shqiptar.

Mes tjerash, ajo përmend edhe disa nga momentet më të vështira që kanë përjetuar gjatë qëndrimit në Bllacë.

“Ne kur kemi ardhur në Bllacë jemi mërzitur shumë me fëmijë e burrë, nuk kemi qenë në dijeni se ku janë shkuar familja, populli në përgjithësi ka hequr keq. Këtu më kujtohet ky lumë sepse kishim frikë se po na bie ndonjë fëmijë e na mbytet. Momenti më i rëndë ka qenë kur jemi ardhur këtu me tren, kemi zbritur dhe nuk kemi pasur ku të qëndrojmë, me disa najllona e më patën ardhur disa fëmijë të dikujt tjetër që nuk e di të kujt kanë qenë. I kam shti brenda dhe i kam vesh, sepse kanë qenë pa rroba e pa mbathje dhe u kam dhënë tesha dhe bukë. Ata fëmijë kanë shkuar më pas te prindërit e tyre, mërzi të madhe kemi pasur i gjithë populli… Jam lutur të mbijetojë i gjithë populli sepse gjendja ka qenë shumë e vështirë”, tha Grajqevci, shkruan KP.

E fotografia e nënës nga Kosova me foshnjën në duar, e shkrepur në vitin 1999 gjatë rrugëtimit të kolonave me njerëz drejt kampit të Bllacës në luftën e Kosovës, u shndërrua në simbol të luftës dhe sakrificës.

Në 24-vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, Sherife Luta ka treguar vuajtjet e refugjatëve kosovarë, derisa thekson se momenti më i vështirë ka qenë t’i kthehet shpina atdheut.

“E kemi përjetuar shumë rëndë, e kemi pas shumë vështirë, kemi pas një udhëtim shumë të gjatë me vajzën në krah, e lodhur, shumë e rëndë ka qenë për të gjithë…Unë kam qenë me vajzën e në ndihmë kam pasur babain, vjehrrën dhe kunatën, sepse burri ka qenë në luftë…Shumë e rëndë ka qenë, sepse gjatë gjithë kohës pas udhëtimit e kam pasur vajzën në gji, nuk kemi pasur me ngrenë diçka, tërë kohës duke ecur, rrugë e gjatë…Momenti më i vështirë ka qenë kur ja kam kthyer shpinën Kosovës dhe momenti tjetër më i rëndë ka qenë kur jemi ndarë me burrin, burri është ndalur në luftë e ne kemi marrë rrugë. Ndërsa, momenti më i mirë ka qenë kur kemi marrë kthimin për në Kosovë”, tha Luta.

Familjarja Lumnije Krelani e cila në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç, kujton ditën kur forcat serbe i larguan me dhunë nga Kosova.

Krelani derisa tregon vuajtjet që ka përjetuar në atë kohë, thotë se ende i ka të freskëta kujtimet e asaj dite.

“E kam përjetuar shumë rëndë sepse jemi ardhur prej një lufte të madhe që atë ditë e kanë vrarë gjithë fshatin, dhe pasi i kanë vrarë të gjithë, ne nuk kemi ditur asgjë për familjarët. Na kanë vendosur me dhunë në këta trena dhe më e keqja që kam përjetuar është kur serbët na tregonin tre gishtat e ne duke e lëshuar Kosovën. Na u ndalke edhe fryma, e shikonim Kosovën si për herë të fundit dhe nuk kemi qenë në dijeni nëse do kthehemi sërish. Ka qenë një tmerr, për familjarë nuk kemi ditë asgjë”, rrëfen Krelani.

Edhe qytetari tjetër, Hysen Grajqevci, i cili e ka përjetuar nga afër Bllacën e vitit 1999-të, thotë se momenti më i rëndë ka qenë kur fëmijët janë ndarë prej familjeve e prindërve.

Pas shumë vuajtjeve që kanë kaluar, Grajqevci thekson solidaritetin që kishte populli shqiptar, porse shprehet i mërzitur që tash pas 24 viteve mungon zemërgjerësia e shqiptarëve që kishin ndër vite.

“Këtu ka qenë një katastrofë, nuk mund t’i përshkruaj gjithë atë popullatë, nuk mund t’i përshkruaj fëmijët të cilët ishin të ndarë prej familjeve e prindërve. Mandej, dhimbja ishte shumë e madhe sepse nuk kishte strehim, jemi dalë dhunshëm pa bukë, ujë e pa ditë ku janë fëmijët e familjet. Dhe me e keqja këtu se ikëm nga një okupator, i cili na ndiqte në çdo hap dhe erdhëm këtu ku gjetëm një okupator tjetër, sepse këtu u ndanë më së shumti familjet mes vete. Aty është pa edhe solidariteti i popullit tonë, dhe më vjen keq që pas 24 vjeteve nuk është më ai solidaritet të cilin ishte në ato vite, sikur u harrua, kjo është e dhimbshme, pra harresa “, tha Grajqevci.

Po ashtu, me rastin e 24-vjetorit të çlirimit dhe 60-vjetorin e fillimit të fotografisë së Asllan Krasniqit, ka nxjerrë nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 viteve dhe ka hapur ekspozitën me 24 fotografi të “Eksodit’99 në Bllacë, Stankoc dhe Çegran”.

Krasniqi tregon sa rëndë e ka përjetuar momentin e shkrepjes së fotove të nxjerra nga arkivi pas 24 viteve.

“Këto fotografi janë bërë në vitin 1999-të në Bllacë, por jashtë Kosovës, në kufi të Maqedonisë. E kam përjetuar shumë keq, shumë dhimbje e emocione dhe kam akoma sot e sa herë të përmendet. Vetëm t’i shohësh fotografitë me këto fytyra se sa kanë vuajtur duke pritur në autobus, mjafton…Në përgjithësi më prekin të gjitha fotografitë, ku shihet shpresa, i moshuari që ka qenë 101-vjeçare e të gjitha janë të prekshme”, tha Krasniqi.

Këtë të hënë shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës së viteve 1998-1999, ata u detyruan nga forcat serbe të shpërngulen në Shqipëri e Maqedoni.

Për ta shënuar këtë ditë, në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit, duke nisur nga ora 10:00, do të mbahet manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve te Shpërngulur nga Trojet e Veta do të ndajë çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që kanë ndihmuar refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës së vitit 1998-99.

Gjithashtu në Bllacë, fotografi Asllan Krasniqit do të nxjerrë nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vjetësh dhe do të hapë ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit ’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran”.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Dëbimi i shqiptarëve me dhunë – 24 vjet nga eksodi i madh në Bllacë

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika