”Këtu është Serbi”, shkruan në mbi 20 vende, rrugës për tek kufiri i Jarinjes.
Por pak pa arritur atje, Stacioni Policor i Kosovës bën me dije se ky është territor i Republikës së Kosovës.
Pranë autoblindave e në gjendje gatishmërie po përcjellin situatën dhjetëra zyrtarë të Njësive Speciale.
Pak më tutje rruga të çon në brezin kufitar të Jarinjes, ku gjithçka ngjan në normalitet.
Lëvizjet hyrje dalëse po i vëzhgon Policia, përderisa kohë pas kohe patrullojnë edhe vetura të EULEX-it.
Rrahim Salihu, që kufirin do ta kalojë për të shkuar në Novi Pazar ka thënë se situata është e qetë megjithëse e vëren një farë qetësie të pazakontë.
Ekipi i televizionit ka qëndruar në 4 komunat veriore, ku ajo që është vërejtur është mungesa e patrullave policore nëpër qytete siç kanë patrulluar zakonshëm, deri të premten kur ishte dita e fundit që policët serbë mbanin uniformat e Policisë së Kosovës.
Destinacioni i radhës ishte komuna e Leposaviqit.
Edhe stacioni policor i kësaj komune tashmë është mbushur me zyrtarë policorë shqiptarë që i kanë zëvendësuar serbët e dorëhequr, veçse të njëjtit po rrinë brenda stacionit.
E aq i qetë nuk po ndihet një qytetar serb nga Leposaviqi që thotë se edhe po iu mungojnë shërbimet.
“Po frikësohemi sepse aktualisht situata nuk është e mirë. Ne tani edhe kemi mungesë të shërbimeve. Ne jemi njerëz të vjetër”, ka deklaruar një qytetar Serb.
E më keq se në Leposaviq situata është në Zveçan, ku qytetarët as nuk duan të prononcohen para kamerës.
Pikërisht në këtë Komunë, në 24 orët e fundit është djegur edhe një veturë tjetër e një qytetareje serbe, e cila i ka ndërruar targat në RKS.
Përderisa në Mitrovicën Veriore mendimet sa i përket aspektit të sigurisë janë të ndara.
“Pak po ndjehem i pasigurt, një farë ndjenje që askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë nesër. Askush nuk garanton nëse në çdo moment mundë të ndodhë diçka e keqe”, ka ka deklaruar një tjetër qytetar serb.
“Tek tani po sillemi të lirshëm. Po lëvizim lirshëm. Kemi qenë gjithmonë të lirë por tash jemi më shumë” ka thënë Qytetar serb.
“Për mu është njësoj gjithçka, 65 vjet i kam, kjo është politika ne nuk jemi asgjë këtu”, ka theksuar qytetar shqiptar.
Mes gjithë flamujt serbë e simboleve të këtyre të fundit, një lagje në Mitrovicën e Veriut ka frymë tjetër.
Mes valëvitjes së flamujve kombëtar e atyre të Kosovës, dëgjohen edhe tingujt e këngëve patriotike.
Ani pse atmosfera duket e qetë dhe gjithçka po zhvillohet natyrshëm, qytetarët e komunitetit shqiptar duket se janë lodhur nga e gjithë kjo situatë.
“Jo siguri nuk ka veç po rrina kështu si gjithmonë”, është shprehur një qytetarë serb.
“Këtu minutat janë në pyetje, këtu nuk dihet qysh shkon puna, mirë nuk është aspak por jeta vazhdon. Gjithmonë me strese, gjithmonë me probleme, njëherë e përgjithmonë nëse e kanë përnjëmend bashkësia ndërkombëtare, ose le ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë problem ose kështu nuk shkon më”, ka shtuar një qytetar shqiptar.
E marta ka qenë dita e katërt prej kur Lista Serbe ka mbajtur takim me serbët e veriut, prej ku dolën me vendimin që të largohen nga institucionet e Republikës së Kosovës.