Sot në Pozheran të Vitisë një qytetar ka gjetur një çantë me dokumente personale dhe para të gatshme, të cilën e ka dorëzuar në polici.
Në çantë kishte para të gatshme në vlerë prej 7500 euro, teksa më pas është identifikuar pronari i tyre, të cilit i janë kthyer dokumentet dhe paratë.
“Sot me datën 11.07.2024 rreth orës 08:10 në Nënstacionin Policor në Pozheran, një qytetar ka dorëzuar një çante, të cilën e kishte gjetur. Në çantë kishte dokumente personale dhe para të gatshme në vlerë të përgjithshme prej shtatëmijë e pesëqind (7500) euro. Policia nëpërmjet rrugëve operative ka arritur që të identifikojë personin që i kishte humbur çantën dhe të njëjtit pas verifikimit në bazë të procedurave ligjore i është kthyer çanta me dokumentet dhe paratë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka falënderuar qytetarin për këtë gjest.
“Duke çmuar këtë gjest human, të devotshëm dhe të ndershëm, falënderojmë qytetarin e
ndërgjegjshëm, po ashtu falënderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e vazhdueshëm në Policinë e Kosovës”.