Shtetet republikane si Teksasi, Arizona dhe Florida kanë dërguar emigrantë në zonat demokratike muajt e fundit, kështu më shumë se 17 mijë kanë mbërritur në qytet që nga prilli, kjo ka bërë që qyteti i Nju Jorkut të shpallë gjendje emergjente me qëllim që kriza e emigrantëve të tejkalohet.
Ndërkaq, që nga shtatori mesatarisht pesë deri në gjashtë autobusë kanë mbërritur në qytet çdo ditë, ka thënë Adams të premtën në konferencë, shkruan BBC-ja.
Ai ka theksuar faktin se një në pesë persona në sistemin e strehimoreve të qytetit janë azilkërkues.
Ai ka treguar gjithashtu se shumica e atyre që vijnë janë familje me fëmijë të moshës shkollore dhe kanë nevojë serioze për kujdes mjekësor.
Kësisoj Kryebashkiaku, po bën thirrje për fondacion në mënyrë që t’i ndihmojnë njerëzit.
“Njujorkezët janë të zemëruar, edhe unë jam i zemëruar. Ne nuk e kemi kërkuar këtë. Nuk ka pasur kurrë ndonjë marrëveshje për të marrë përsipër punën e mbështetjes së mijëra azilkërkuesve”, ka thënë Adams.
Ai ka shtuar se shërbimet sociale të qytetit po shfrytëzohen nga të tjerët për përfitime politike.
Tre shtete Teksasi, Arizona dhe Florida kanë transportuar emigrantë në zonat e udhëhequra nga demokratët, duke u fokusuar në qytetet e vetëshpallura “të shenjta” që kufizojnë bashkëpunimin e tyre me autoritetet federale të imigracionit.
Pse emigrantët dërgohen në zonat e drejtuara nga demokratët?
Zyrtarët republikanë në shtetet kufitare thonë se taktika synon të zbusë ndikimin e flukseve të migracionit.
Ata kanë thënë gjithashtu se masa është krijuar për të rritur presionin ndaj administratës së presidentit Joe Biden për të bërë më shumë që ta zvogëlojë numrin e emigrantëve që kalojnë kufirin jugor të SHBA-së, i cili ka arritur një rekord të lartë këtë vit.
Qyteti i El Paso, Teksas, i drejtuar nga demokratët, u ka ofruar emigrantëve udhëtime falas në qytetin e Nju Jorkut dhe Çikagos si një mjet për të lehtësuar presionin mbi burimet e qytetit. Vetëm El Paso ka transportuar më shumë se dyfishin e numrit të emigrantëve gati 9,000 në dy qytetet veriore sesa janë dërguar nga guvernatori i Teksasit.
Zyrtarët e El Pasos kanë thënë se udhëtimet janë vullnetare dhe se ata bashkërendojnë me qytetet e destinacionit për të ndihmuar emigrantët pas mbërritjes.
Si pjesë e deklaratës së tij të urgjencës, kryetari i bashkisë së Nju Jorkut ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që lejon qytetin të dedikojë burime për të mbështetur azilkërkuesit dhe për të përshpejtuar çdo përpjekje për përgjigje.
Një zëdhënëse e guvernatorit të Teksasit, Greg Abbott, hodhi poshtë deklaratën e kryetarit të bashkisë të premten.
“Emergjenca e vërtetë është në kufirin jugor të kombit tonë, ku qytetet e vogla kufitare të Teksasit pushtohen dhe mbingarkohen nga qindra emigrantë çdo ditë pasi administrata Biden i hedh në komunitetet e tyre,” ka theksuar Renae Eze.