Mediat në Serbi, po vazhdojnë të raportojnë për ndalimin e Milan Radojiçiqit, njeriut që organizoi dhe udhëhoqi grupin e armatosur që kreu një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbetën të vrarë një polic dhe tre terrorist.
Mediumi serb Nova.rs ka njoftuar se Radojiçiqit është dërguar në Zyrën e Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, ku do të paraqet mbrojtjen e tij në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.
Serbia e arreston Milan Radojçiqin
Serbia e ka arrestuar Milan Radojçiqin i cili ishte udhëheqësi kryesor i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, të cilët po ashtu thonë se janë bastisur banesa dhe lokalet e tjera që janë pronësi e Radojçiqit.
“Më 3 tetor 2023, policët e Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe lokalet e tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është urdhëruar të mbahet nga policia deri në 48 orë dhe është sjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal”, thotë MPB-ja e Serbisë.
Ditë më parë Radojçiq e kishte pranuar se ka marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë, ku ishte sulmuar Policia e Kosovës dhe ishte vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Radojçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.
Ndërkaq krerët shtetërorë të Kosovës, kanë kërkuar që Radojçiq të ekstradohet në Kosovë në mënyrë që të gjykohet për veprat e tij kriminale.