Janë bërë më shumë se një muaj qëkur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës si rrjedhojë e situatës në veri. E këto masa, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna po ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, raporton.
Ndërsa për të hyrat nga dogana, Rafuna ka thënë se nuk është lajm i mirë.
Duke folur për masat ndëshkuese, Rafuna sheh edhe në thithjen e investitorëve të huaj dhe dëmtim i imazhit të Kosovës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rafuna ka përmendur përjashtimin nga Fondi për Digjitalizim. Ai ka thënë se nëse nuk largohen këto masa, do të ketë dëme edhe në fushat tjera.
“Këto masa ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës, e kanë dëmtuar Kosovën në dy fusha e para në çështjen e imazhit, nuk ka qenë imazh i mirë, nuk ka qenë mesazh i mirë për investitorët e huaj dhe e dyta është në aspektin material, ku kompanitë tona kanë pësuar, kanë pësuar edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, për shkak se kishim rastin e Fondit për Digjitalizim, ku të gjitha vendet e rejonit e morën hisen e vet, ndërsa Kosova u përjashtua nga e drejta për ta shfrytëzuar atë hisen e vet që i takon në Fondin e Digjitalizimit, tani po hymë në muajin shtator, tetor dhe nëse këto masa na mbesin në fuqi dhe veprohet siç është vepruar me këtë fond, atëherë ne do të përjashtohemi edhe prej fondeve të tjera dhe kështu që më së shumti do të pësojnë kompanitë tona”, ka thënë Rafuna.
Rafuna ka folur edhe për trendët ekonomike në vend, i cili theksoi se parashikimet për rritje ekonomike këtë vit janë 3.5 deri 4 për qind.
“Unë nuk kam pas rast me i pa videot, rritjen ekonomike Oda e Ekonomike e Kosovës që e parasheh është e njëjtë me atë që e sheh Banka Botërore, Fondi Monetar dhe institucionet e tjera financiare, kredibile që bëjnë vlerësime, rritja do të sillet deri në fund të vitit mes 3.5 deri në 4, kjo është pak a shumë pritjet tona janë që të përfundojë rritja ekonomike e Kosovës”, u shpreh Rafuna.
E shqetësuese kreu i OEK-ut e sheh thellimin e deficitit tregtar. Për këtë, ai kërkoi më shumë vëmendje nga Qeveria e Kosovës.
“Deficiti tregtar është shqetësuese, do me thënë rritja edhe thellimi i deficitit, rritja e importit si në vlerë si në sasi, rënia e eksportit kishim këta dy muaj e fundit, është shumë shqetësuese, për këtë arsye kjo është alarm për Qeverinë e Republikës së Kosovës të përqendrohen dhe të hartojnë një politikë të mirë fiskale, që i ndihmon më shumë prodhimit tonë, në mënyrë që të kemi më shumë eksporte dhe ta ulim deficitin tregtar”, u shpreh kreu i OEK-ut.
Rafuna ka folur edhe për rritjen e të hyrave nga Dogana. Thotë se me këtë nuk krenohet Oda Ekonomike e Kosovës, pasi kërkesë e vazhdueshme e tyre është prodhimi e eksporti.
“Sa i përket të hyrave është vetë vlera e inflacionit, vetë importimi i sasisë më të madhe e ka sjellë edhe rritjen e të hyrave në doganë, mirëpo ne si Odë nuk mburremi me të hyrat që vijnë nga dogana, ne mburremi me të dalat në rritjen e eksportit dhe me mbulimin e mallrave të importuara me prodhime vendore. Kështu që për ne çdo e hyrë më e madhe që vjen në doganë, paraqet shqetësim, jo në kuptim pozitiv, që me e marrë që është mirë, për ne si Odë Ekonomike insistojmë që të kemi sa më shumë prodhim dhe të gjitha kërkesat tona ndaj të gjitha institucioneve të vendit është që të kemi sa më shumë prodhim dhe sa më shumë eksporte që të kemi sa ma pak importe të mallrave nga vende të tjera dhe sjelljes së parasë së gatshme jashtë Kosovës”, ka deklaruar ai.