Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për hyrjen në fuqi të rregullores së re që pamundëson përdorimin e dinarit serb e ka quajtur një vendim të drejtë dhe të mirëseardhur.
Në një lidhje direkte në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini, Rafuna ka thënë se nuk ka pasur ndonjë koordinim të mirëfilltë sa i përket asaj se kur duhet të hyjë në fuqi rregullorja e BQK-së.
“Vendimi i BQK-së është i drejtë, çdo vendim që sillet për me vendos ligjshmërinë është i mirëseardhur, ajo çka po mendoj që i mungon është një fushatë koordinimi me miqtë tanë që ta krijojmë këtë sistem financiar, nuk ka pasur ndonjë koordinim sa i përket se kur duhet të hyjë në fuqi rregullorja, nganjëherë vendimi mund të jetë shumë i mirë kur gjen kohën për t’u implementuar”, ka thënë Rafuna.
Ai konsideron se nuk ka mesazh të qartë se si duhet të implementohet kjo rregullore dhe si do të monitorohet.
“Ka një përzierje, nuk po jepet mesazh i qartë i implementimit të asaj rregulloreje, për të publikuar atë janë përgjegjëse të gjitha organet që u është dërguar për implementim. Jam i bindur se palët implementuese, janë thirrur dhe u janë bërë me dije detyrat e tyre për të implementuar mirë këtë vendim”, ka vijuar ai.
Ai thotë se rregullorja e BQK-së nuk do të ketë efekt në ekonominë kosovare, pasi siç thotë ai, në biznese dhe në sektorin privat të gjitha blerjet dhe transaksionet deri më tash janë bërë me valutën euro.
“Sipas informatave, nuk do të ketë asnjë efekt në ekonomi, gjitha blerjet dhe transferet që janë bërë janë bërë me euro, edhe te bizneset tona që kanë bërë transaksione në të kaluarën”, ka theksuar ai.
Ndryshe, sot në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Ky vendim ka rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.
Komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
Bashkimi Evropian më 1 shkurt shprehu shqetësim për pasojat eventuale që mund të ketë ky vendim në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.
Qeveria e Kosovës tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do t’i ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.
Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.
Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se të gjitha bankat komerciale në shtet janë udhëzuar që të hapin degë në veri, teksa BQK-ja i ka obliguar ato që të ofrojnë xhirollogari bazike, pa kosto për poseduesit e tyre.