Në mbledhjen e sotme të Asociacionit të Komunave, pati thuajse një përleshje mes kryetarëve të komunave.
Kryetari i Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, i ftuar në emisionin “FIVE”, tha se në këtë mbledhje është mohuar edhe e drejta e fjalës.
E ky mohim, Rahimaj thotë se erdhi nga Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu
“Ne fillimisht kërkuam që të futen dy pika të rendit të ditës, ndërsa aty është mohuar edhe e drejta e fjalës nga vetë kryetari Aliu, fillimisht kryetari Bulliqi kërkoi që të futet në rend dite që LVV-ja, të ketë vendin e vet në bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës,” tha Rahimaj.
Rahimaj tha se kërkesë e tij ishte anëtarësimi i Komunave të Veriut të Kosovës, ku sipas tij ka qëllime dashakeqëse nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku thotë se “këta kanë një mend qëllime dashakeqëse që komunat e veriut të Kosovës ti lënë të lira që në të ardhmen të anëtarësohen në mekanizma tjerë”.
“Më pas kam marrë fjalën e kam kërkuar që të futet në rend dite edhe propozimi për anëtarësimin e Komunave të Veriut te Kosovës në këtë organ, pasi këto komuna në organet e tyre më të larta kanë marrë vendim që të bëhen anëtare e Asociacionit të Komunave të Kosovës,” shtoi Rahimaj.
Ndryshe, sot gjatë ditës, Rahimaj përmes një postimi në “Facebook”, kishte publikuar videon ku shihej se gati kishte përleshje mes kryetarëve të komunave.
“Kur mungojnë argumentet, fillojnë të vënë në shprehje dhe forcën,” ka shkruar ai.
Ndërsa, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka akuzuar kryetarët e komunave që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje për situatën e shkaktuar sot në këtë mbledhje.
“Eskalimi i sotëm i katër kryetarëve të komunave që i udhëheq LVV, dhe nga kuvendi i sotëm është vazhdim i mjegullës që u përpoqën ta shesin në mbledhjen e kaluar të Asosacionit. Pas publikimit të përgjimit të djeshëm të Radoiçiqit iu ka humbur rruga në oborr. Tollovitë e tilla të krijuara nga metodat e LVV me tendenca të heqjes së vëmendjes nga rënia e lirë e tyre në Drenas dhe krejt Kosovën është e pritshme”, ka thënë Lladrovci.
Përleshje mes kryetarëve të komunave, VV-ja thotë se u tentua të kontrabandohen disa procese