Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se botuesi për botimin e Abetares së përbashkët tashmë është zgjedhur.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, Rama ka theksuar se faza e parë lidhur me botimin e Abetares së përbashkët tashmë ka përfunduar.
I pari i qeverisë shqiptare ka potencuar se e njëjta do të dërgohet në Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera ku ka shqiptarë.
“E kemi fituesin e Abetares. Ka mbaruar faza e parë. Do ta dërgojmë këtë Abetare edhe në Maqedoni dhe në shtetet e tjera për rreth ku ka shqiptarë”, është shprehur Rama.
Të hënën e 30 majit, është mbyllur faza e pranimit të materialeve të fundit konkurruese, në procesin e përzgjedhjes së Abetares së përbashkët, për Shqipërinë dhe Kosovën.
Ndërkaq, më 26 nëntor 2021, Shqipëria dhe Kosova kishin marrë vendim për bashkëpunim në fushën e arsimit.
Ndërsa, më 21 dhjetor të po të njëjtit vit, ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, së bashku me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi, kishin nënshkruar marrëveshjen për përdorimin e një Abetareje të përbashkët në dy shtetet.
Shtëpitë botuese ‘Pegi’ nga Shqipëria dhe ‘Dukagjini’ nga Kosova janë shpallur fituese të konkursit për botimin e Abetares së përbashkët, mbarëkombëtare.
Abetarja e përbashkët mbarëkombëtare do të jetë në duart e nxënësve më 1 shtator 2022, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.