Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur të hënën në takim boksierin Robin Krasniqi, të cilit i ka dorëzuar Hyjneshën në Fron.
Rama ka thënë se ashtu si ky simbol edhe Krasniqi ka treguar stabilitet dhe forcë.
Po ashtu, ai e ka falënderuar Krasniqin për përfaqësimin e vendit në hartat e botës.
“Një kampion i vërtetë nuk përcaktohet vetëm nga fitoret, por nga përkushtimi, këmbëngulja, karakteri dhe shpirti i tij. Robin Krasniqi, ju mishëroni të gjitha këto cilësi dhe jo vetëm. Faleminderit që e keni vënë vendin tonë në hartat botërore dhe që na bëni gjithmonë krenar me arritjet tuaja. Në shenjë mirënjohjeje e admirimi, të dhurojmë Hyjneshën në Fron – simbol i vërtetë i qëndrueshmërisë dhe forcës, ashtu sikur jeni edhe ju”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Pas më shumë se një vit, Krasniqi, të shtunën e 25 shkurtit është rikthyer në ring.
Ai ka fituar meçin ndaj numrit një të Belgjikës në boks, çeçenit me nënshtetësi belge, Timour Nikarkhoev.
Krasniqi “ia ka vërë kapakun” me këtë fitore, që u mbajt në “Audi Dome” në Mynih të Gjermanisë.
Kështu, me Krasniqin mbrëmjen e 25 shkurtit, janë bërë shtatë shqiptarë që kanë fituan meçin.
I pari që fitoi nga shqiptarët ishte, Valon Ahmeti, më pas ishte Kushtrim Tahirukaj, Isuf Kelmendi, Armend Xhoxhaj, pastaj ishte boksieri tjetër shqiptar Musa Avdimetaj, apo siç njihet, James Kraft dhe Shefat Isufi.