Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu adresua opozitës gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke i pyetur se pse nuk kanë paraqitur asnjë draft-rezolutë për gjykimin e komandantëve të UÇK-së.
“Ata që e kanë sjellë draft-rezolutën që u bë sebep për këtë mocion me debat dhe që sjellin, një vit po e një vit jo, drafte të tilla deri edhe për të luftuar diktaturën komuniste, a dinë të na e thonë pse nuk e kanë sjellë deri më sot ndonjë draft-rezolutë, për t’i bërë thirrje botës demokratike të rihulumtojë burimin kah rrjedh procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit e tre komandantëve të tjerë të UÇK-së”, ka theksuar Rama.
Rama kujtoi se ky është Kuvendi i një shteti, i cili i ka të gjitha mjetet në dispozicion për ta ngritur ndërkombëtarisht në çdo instancë të botës demokratike këtë shqetësim.
“E ka bërë e do ta bëjë deri në fund, kurdoherë, kudo e përballë kujtdo që duhet ta dëgjojë të vërtetën rrënqethëse mbi burimin dhe rrjedhën e atij procesi; ashtu siç ka bërë dhe do të bëjë, deri në fund, kurdoherë, kudo e përballë kujtdo, përmes kësaj qeverie, detyrën në mbështetje të domosdoshmërisë së njohjes përfundimtare të Kosovës, duke i thënë të vërtetat siç janë; duke e ngritur zërin siç duhet; duke i parë në kokërdhok të syrit të gjithë ata që duhet t’i dëgjojnë”, ka deklaruar kryeministri shqiptar.
Kjo dramë, sipas tij, nuk luhet vetëm në lëkurën e Hashim Thaçit, të Kadri Veselit, të Jakup Krasniqit e të Rexhep Selimit.
“Po luhet mbi pasqyrën e stërmadhe të gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës, mbi ngrehinën e brishtë të shtetit të ri të Kosovës, mbi pastërtinë e flamurit të pavarësisë së Kosovës dhe akoma më tutje, mbi figurën e vetë Kosovës në sytë e një bote, e cila në gati gjysmën e saj nuk e njeh ende të drejtën e ekzistencës së saj si shtet të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Rama.
Rama ka nënvizuar se vetëm “parafytyrimi se nesër, një vendim largqoftë fajësie i dhënë nga Gjykata Speciale për udhëheqjen e lartë politike të UÇK-së, si të ishte komanda supreme e një ushtrie të rregullt që ka kryer krime lufte, mund të kthehet në argument për të frymëzuar, nxitur, orkestruar dhe penguar në pafundësi formësimin e plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.
“Arsyeja e braktisjes ulëritëse të atyre atje në Hagë nga të gjithë ata që i kanë braktisur është një tjetër, sa banale aq edhe koherente me thelbin e qorrbelasë politike, e cila e përndjek shqiptarinë dhe shtetin shqiptar qysh prej vitit 1912. E dini si e ka emrin? Urrejtje! Urrejtja për Hashim Thaçin, si fitimtar i luftës që donte medoemos të fitonte edhe paqen”, ka përfunduar Rama.