Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar deklarimet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku akuzoi emisarin Special të BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për “koordinim” me Beogradin.
Sipas Ramës, qasja e Qeverisë së Kosovës po i ndihmon Serbisë dhe nuk po i ndihmon Kosovës.
“Janë gjëra që të lënë pa tekst dhe janë gjëra që dëmtojnë edhe më shumë atë që pretendohet se po përpiqen të riparojnë, sepse të ngresh një teori konspiracioni për një bashkëpunim që e zbulove mes Serbisë dhe të dërguarit special të gjithë BE, nuk është diçka e këshillueshme për t’u bërë… Dhe ajo që është për të ardhur keq është se qasja e Prishtinës po i ndihmon Serbisë, nuk po ndihmon Kosovën sepse po viktimizon Serbinë në sytë e gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe në sytë e miqve dhe partnerëve tanë, po i mbyll gojën miqve dhe partnerëve tanë”, ka thënë Rama, duke shtuar se rruga e zgjedhur prej Kurtit nuk është rruga që të çon drejt qëllimit.
“Po e përsëris, unë nuk dyshoj në dëshirën e madhe dhe të mirë të Albinit për të bërë më të mirën për Kosovën, por dëshira e madhe dhe vullneti i mirë nuk mjaftojnë asnjëherë. Duhet qartësia strategjike për ta arritur qëllimin, gjë që nuk e shoh”, ka thënë Rama për “ABC News”.
Kjo sjellje e Kurtit nuk i sjell rezultatet e dëshiruara për Kosovës ka potencuar Rama, duke qenë skeptik se ky veprim edhe vota mund t’i sjellë për një kohë të gjatë.
“Është gjëja më e lehtë, që të tërheqësh opinionin publik pas vetes, duke marrë poza, kundërshtie dhe deri armiqësie ndaj atyre që janë të identifikuar si burimi i një të keqe të madhe që i ka ndodhur Kosovës në të shkuarën jo shumë të largët, por pyetja këtu është çfarë sjell kjo? Sjell më shumë vota në Kosovë? Mbase. I sjell ato vota për një kohë të gjatë? Nuk besoj, por e sigurt është që nuk sjell rezultatin e dëshiruar për Kosovën që është përfundimi i një procesi normalizimi dhe pastaj i çlirimit të gjithë ngërçit të njohjeve në radhë të parë brenda vendeve të BE. Sepse ky është edhe synimi i planit franko- gjerman dhe kjo duhet të ishte arritje më e madhe e mundshme, që do të ishte një njohje defacto edhe e Serbisë, pavarësisht se do ta njihje apo jo formalisht Serbia Kosovën, kjo mbetej e parëndësishme, Kosova do të fitonte këtu ulësen e saj, do të çlirohej nga barra e këtij konflikti për të vijuar procesin e integrimit në BE, dhe kështu me radhë”, ka shtuar Rama.