Rama: Me Kallas diskutuam për kalendarin e negociatave dhe çështjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në takim Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas. Rama në konferencën për media tha se në fokus të diskutimeve me Kallas ka qenë temë bisedimi procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përpjekjet për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027, problemet në rajon, si dhe bashkëpunimi me BE-në në fushën e sigurisë.

Sipas tij, fatmirësisht të gjitha vendet kanë synim të shpallur strategjik anëtarësimin në BE.

“Kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, si dhe në politikën e jashtme të Shqipërisë, e cila është 100% e linjës me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Natyrisht, kemi diskutuar për sfidën e madhe të procesit drejt anëtarësimit në BE dhe për kalendarin ambicioz të dakordësuar me Komisionin për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Po ashtu, kemi diskutuar për rajonin dhe problematikat që ekzistojnë, në një moment kur kemi të domosdoshëm unitetin dhe stabilitetin e të gjithë rajonit, ku fatmirësisht të gjitha vendet kanë synim të shpallur anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ky destinacion është një pikë referimi e jashtëzakonshme për të kuptuar politikën e ditës dhe hapat që duhet të hedhim në të ardhmen”, tha Rama.

Rama theksoi gjithashtu se gjatë takimit ishte diskutuar edhe për çështjen e bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë.

“Siguria është një temë qendrore për BE-në”, shtoi ai.

Rama shtoi se lufta, tani, nuk është më një film bardh e zi nga e kaluara, por një kërcënim real për Evropën.

“Sikundër e kam ndarë edhe pak më parë, dua ta përsëris që në një anketë të bërë në BE për popullaritetin e Bashkimit Evropian, rezulton se që nga 1983 mbështetja për BE-në nga popujt që e përbëjnë është më e larta ndonjëherë, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Kjo sepse popujt e Evropës e ndjejnë se lufta nuk është më një film bardh e zi i të shkuarës, por është një kërcënim real ndaj të cilit Evropa duhet të shtrëngojë radhët dhe të forcohet. Pjesë e këtij angazhimi është edhe Shqipëria në përmasën e vet.”

Ndryshe, Kallas është në një vizitë në Shqipëri për nënshkrimin e marrëveshjes të financimit të projektit të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, që është pjesë e Korridorit VIII. Ky projekt është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e lidhjeve rajonale. Ajo fillimisht është pritur në takim nga Presidenti shqiptar, Bajram Begaj. Dhe pastaj u takua me kryeministrin, Edi Rama .

Kallas do të zhvillojë takime me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu. Ajo do të marrë pjesë gjithashtu në forumin e dialogut Shqipëri-BE për politikën e sigurisë dhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Bankën Evropiane të Investimeve.

Ajo do të përfundojë vizitën e saj në Shqipëri me një ligjëratë në Shtëpinë e Evropës. Pas kësaj vizite, ajo do të udhëtojë drejt Bosnjë-Hercegovinës, pas takimeve që pati në Malin e Zi si pjesë e turit të saj të parë ballkanik.

Shija e redaktorit

“Dukagjini Resort” te Rana e Hedhur, në fillim të rrugës...

"Dukagjini Resort" është një projekt i jashtëzakonshëm arkitekturor te Rana e Hedhur, në kilometrat e parë të rrugës së re Shëngjin-Velipojë. Resorti, puna për ndërtimin...

Distria Krasniqi shpallet për herë të tretë kampione e Evropës...

Distria Krasniqi ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Podgoricë të...

Kongresi Amerikan paraqet rezolutë kundër krimeve të dhunës seksuale në...

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), njofton se Kongresi Amerikan paraqet Rezolutën 26 – një zë i fuqishëm kundër krimeve...

Të fundit nga rubrika