Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar pamjet e mbërritjes në samitin e NATO-, i cili po mbahet në Madrid të Spanjës.
Me anë të një videoje të publikuar në Facebook, kryeministri Rama shihet i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, duke hyrë në pritjen e organizuar nga Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës.
“Me këtë moment të hyrjes në pritjen e organizuar mbrëmë nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Madhëria e Saj, Mbretëresha Letizia, për mirëseardhjen e udhëheqësve të shteteve pjesëmarrëse në Samitin e NATO-s, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Kryeministri Rama kryeson delegacionin shqiptar që merr pjesë në samitin e NATO-s. Pjesë e delegacionit është edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
Ndërkaq, të martën e 28 qershorit, liderët e Aleancës Veriatlantike (NATO) janë mbledhur në Bruksel.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën kishte thënë se në samitin treditor do të arrihet pajtueshmëri për një paketë të re të ndihmës për Ukrainën në fushën e komunikimeve, sistemeve antidronë dhe naftës.
Në këtë samit do të marrin pjesë edhe liderë të shteteve që nuk janë pjesë e NATO-s, përfshirë liderët e Koresë Jugore dhe Japonisë, në cilësinë e vëzhguesve.
Spanja po e organizon samitin në 40-vjetorin e pranimit të saj në NATO. Më 30 maj të 1982-s, ajo u bë vendi i 16-të që iu bashkua Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Në grupin e vendeve anëtare të NATO-s është edhe Shqipëria, që u anëtarësua në vitin 2009.