“Mund të tingëllojë paska e çuditshme për popullin e Kosovës derisa po bëhet një hap për të nënshkruar për lëvizje me karta identiteti, ata nuk mund të lëvizin lirshëm drejt BE-së”.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për media pas samitit të Berlinit.
Ai ka kërkuar që të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian.
Ndër të tjera ai ka përshëndetur nënshkrimin e tri marrëveshjeve në këtë samit.
“Ajo që është diskutuar sot , do të shënojmë progres dhe përparim deri në Samitin e radhës në Tiranë, presidentja Ursula bëri para disa ditësh vizitë në rajon, nuk solli veëtm fjalë por mbështetje tejet të rëndësishme financiare”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se ky samit ka bërë bashkë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duke thënë se “nëse sot kemi një rajon të bashkuar në një moment të ndërlikuar për gjithë Evropën, sekreti publik është procesi i Berlinit”.
Rama ka falënderuar kancelarin Scholz për angazhimin e tij si dhe për besimin që i ka dhënë Shqipërisë që të jetë nikoqir i Samitit të Berlinit.
“Mezi presim të shohim progres edhe në interkoneksionin me BE-në, nuk ka të bëjë vetëm me lidhjen e infrastrukturës mes vendeve tona, por lidhjen mes rajonit dhe BE-së”.
Ndërsa kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm në këtë kohë të agresionit rus në Ukrainë.
Ai ka përshëndetur nënshkrimin e tri marrëveshjeve në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi arritur tri marrëveshje të rëndësishme, ku të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë qasje të barabartë. Këto marrëveshje janë një arritje e madhe për qytetarët e rajonit. Marrëveshjet kanë ndihmuar dhe ndihmojnë që këto shtete të bashkëpunojnë edhe më shumë”, ka theksuar Scholz.
Scholz ka kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor hapa konkret për integrimin përmes Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit më të ngushtë.
Scholz përshëndet nënshkrimin e tri marrëveshjeve në Samitin e Berlinit