Rama pas takimit me Cameron: Britania e gatshme ta financojë projektin e hekurudhës Durrës – Prishtinë

Pas takimit me sekretarin e Jashtëm britanik, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të financojë projektin e hekurudhës Durrës – Prishtinë. Rama dhe Cameron kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit, derisa e ka cilësuar edhe si një avokat shumë të rëndësishëm në mbështetjen e proceseve transformuese të rajonit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë të përbashkët për media me sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron, ka thënë se “sot është një ditë e posaçme për Shqipërinë”.

Rama ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe që i ka cilësuar si shumë të mira dhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Ai ka bërë të ditur se me sekretarin britanik ka biseduar për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në financimin dhe ekspertizën e projektit hekurudhor Durrës – Prishtinë.

“Unë dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin që është hekurudha Durrës – Prishtinë, e cila është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve tona, por edhe në rajon e më gjerë. Duke pasur parasysh se ne së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit.

Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit Durrësit dhe njëkohësisht edhe Kosova do të ndërtojë port të thatë në Prishtinë. Për të gjitha këto së bashku, ky është një projekt që tejkalon interesat e dy vendeve tona dhe në të cilin Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë qoftë për financimin dhe ekspertizën”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar ka shtuar se kanë diskutuar edhe për projektin e luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore, duke potencuar se janë shumë të kënaqur me rezultatet e deritanishme.

Ndër të tjera, ata kanë diskutuar edhe për ecurinë e bashkëpunimit në rajon, e që sipas Ramës, sekretari Cameron është mbështetës i këtyre proceseve, duke theksuar se tashmë dihet botërisht se Mbretëria e Bashkuar dëshiron të shohë normalizim të plotë në marrëdhëniet rajonale.

Tutje, kryeministri shqiptar është shprehur mirënjohës ndaj sekretarit Cameron, sepse sipas tij, ai është një avokat shumë i rëndësishëm i tyre në mbështetjen e të gjitha proceseve transformuese të rajonit tonë.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika