Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kritikuar Britaninë e Madhe duke thënë se po i sulmon shqiptarët për të justifikuar “politikat e dështuara” të saj për kufijtë dhe migracionin.
Kreu i Shqipërisë, Rama për komentet e Sekretares së Brendshme të Britanisë së Madhe, Suella Braverman këtë javë se Britania e Madhe po pushtohet ka thënë se “do të nxisë ksenofobinë”.
“Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program,” ka thënë ai, raporton BBC.
Braverman, e cila tha të hënën se Anglia jugore po përballej me një “pushtim” të emigrantëve – ka akuzuar gjithashtu “shumë” shqiptarë për “abuzim me ligjet tona moderne të skllavërisë”.
Javën e kaluar, deputetëve iu tha se 12 mijë shqiptarë që kishin mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pasi kaluan Kanalin deri më tani këtë vit, krahasuar me 50 në 2020.
Nga këta 10 mijë ishin burra, që përfaqësonin 1 për qind të popullsisë së rritur mashkullore të Shqipërisë.
Në një intervistë për BBC Newsnight, Rama ka thënë se komenti “pushtim” i zonjës Braverman ishte “i çmendur” dhe ai e kishte patur “të pamundur të mos reagonte”.
Ai shtoi: “Nuk bëhet fjalë për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe fajësimin e të tjerëve”.
“Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program, nuk është një vizion. [Ajo] nuk është gjë tjetër veçse nxitja e ksenofobisë dhe synimi, veçimi i një komuniteti”.
“Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë.”
Kjo vjen pasi kryeministri Rama shkroi më herët në Twitter se Britania e Madhe po “diskriminon” shqiptarët për të shkëputur vëmendjen nga “dështimet e politikave”.
I pyetur për këto komente, Ministri i Emigracionit, Robert Jenrick tha se donte një “marrëdhënie produktive” me Ramën.
“Por është gjithashtu e vërtetë që Shqipëria është një vend i sigurtë, dhe shumica e njerëzve që vijnë nga Shqipëria janë meshkuj të rinj”, ka thënë ai.
“Është një shembull i mirë i emigrantëve ekonomikë, të atij lloji që ne si vend duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të penguar”, shtoi ai.
Rreth 7 mijë e 627 shqiptarë kërkuan azil në Britaninë e Madhe në vitin deri në qershor, më shumë se dyfishi i një viti më parë.
Por shifrat e fundit nuk do të përfshijnë shumicën e atyre që kanë mbërritur këtë vit, pasi shumë pak nga këta individë do të kenë marrë ende në shqyrtim kërkesat e tyre për azil.