Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet në mënyrë që të mos ketë probleme për të dyja vendet.
Ai është shprehur se “superfuqitë duhet t’i kapin për veshi sa herë që zihen në oborr të shkollës”, raporton mediumi malazez “Pobjeda”.
“Superfuqitë duhet t’i kapin për vesh sa herë që zihen në oborrin e shkollës. Një marrëveshje e bazuar në planin franko-gjerman është gjëja më e mirë që ishte në tryezë, por ky është mendimi im. Unë respektoj sovranitetin e dy palëve për të vendosur për këtë dhe kur të krijohet një situatë e tillë, Qeveria e Shqipërisë dhe unë personalisht do të jemi aty për të mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe qeverinë e tyre dhe uroj që të jenë vendimtare dhe të suksesshme”, ka deklaruar Rama.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit pasditen e së hënës në Bruksel, nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi, i cili kishte nisur në ora 15:00, është zhvilluar në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Pas Kurtit, Borrell e Lajçak janë duke mbajtur edhe një takim të veçantë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të vazhduar më pas me një takim të përbashkët me të dyja palët.
Në këtë takim do të diskutohet për planin franko-gjerman, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel vite më parë nga Kosova dhe Serbia, duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
BE e konsideron takimin e gjashtë mes Kurtit dhe Vuçiqit si më të rëndësishmin, sepse, kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme.
Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.