Kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë gjatë ditës së premte me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, ka komentuar sulmin e qytetarëve rusë (2) dhe ukrainas (1) në uzinën e Gramshit.
Ai ka thënë se është për të qarë dhe për të qeshur e gjithë rëndësia që i është dhënë kësaj çështjeje dhe mënyrë sesi është trajtuar.
Sipas Ramës, ajo uzinë nuk është objekt i rëndësisë së veçantë, është thjesht një mbetje e komunizmit, e cila është e deklasifikuar si objekt në vitin 2012.
“Mjegulla e ngritur mbi objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë, as fabrika që prodhojnë armë. Janë karakatina të deklasifikuara si objekte në vitin 2012. Të thuash që po bëj spiunazh duke fotografuar ato mbetje të komunizmit është shumë qesharake”, ka thënë Rama.
Rama ka theksuar se ajo çfarë të shqetëson është qëllimi i vërtetë i këtyre personave në Shqipëri.
“Na shqetëson fakti se çfarë qëllimesh të vërteta kanë pasur këta persona në vendin tonë. Të gjejmë arsyen e vërtetë dhe për këtë po punon grupi hetimor”, ka deklaruar Rama.
Rama ka shtuar se “të flasësh për cenim të sigurisë kombëtare se u shfaqën disa persona të dyshimtë është e drejtë po se u shfaqën duke fotografuar ca mbeturina të komunizmit është qesharake. Por se çfarë fshihet pas kësaj, që u bë e madhe me ndihmën tuaj, do të zbulohet nga hetimet”.
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.
Gjykata e Elbasanit lë në paraburgim dy rusët dhe ukrainasin e arrestuar në Gramsh