Përparim Rama, kryetari i kryeqytetit ka prezantuar projektin fitues në konkursin ndërkombëtar ndërkombëtar për dizajnin e çedheve dhe kopshteve.
Ky projekt do të realizohet në Kolovicë të Prishtinës.
Projekti është krijuar nga arkitektët Serhat Sen, Kemal Tas, Dilara Akdemir, Alican Tugenkoglu dhe Ramiz Laçi, që do të sjell një frymë të re në krijimin dhe realizimin e çerdheve dhe kopshteve.
“Ngrehina është vendosur në një nga kodrinat e parcelës është dizajnuar mbi idenë e dizajnit që sheh nga brenda. Përmes krijimit të një shiriti të gjelbër në fasadë, ne kemi pasur për qëllim ta shfyrtëzojmë dheun i cili do të zhvendoset për ndërtim. Hapësirat funksionale përfshijnë zyrat, depotë dhe dhomat teknike, të vendosura në të dy anët e hyrjes. Në holl, ana e majtë të çon tek ndarjet e kujdesit ditor, të lidhura me një atrium dhe një kopsht të jashtëm, të cilin e kemi quajtur “Kopshti i qetë”. Ngjitur, në anën e djathtë të hollit është korridori i lojërave, që të çon tek kopshti. Kjo hapësirë ka disa oborre të brendshme, njëri prej të cilëve është më i madh se të tjerët, brenda të cilit është një amfiteatër i cili është i ndërlidhur me me çatinë,” shkruan Rama.
Po ashtu, një hapësirë tjetër e përbashkët, e ndërlidhur me ato të kopshtit, do të zgjerohet në një oborr të brendshëm.
Projekti fitues në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Mati 1. Arkitektët Arjeta Gorqaj dhe Shpat Ademaj e cilësojnë si ambient gjithëpërfshirës, që i përgatit fëmijët jo vetëm në rrafshin edukativ, por edhe në atë social dhe emocional.
“Të qenit pjesë e edukimit brenda kopshteve që pasqyrojnë rehatinë dhe sigurinë e shtëpisë është një prej elementëve thelbësorë në ngjizjen e ndjenjës së përkatësisë dhe qetësisë tek fëmiu. “Foleja” e ka të përbrendësuar këtë parim, duke integruar konceptin e shtëpisë, që bën të mundur krijimin e një ambienti të njohur dhe që mbështet zhvillimin fare të natyrshëm të fëmiut. Ky koncept paraqet ndërthurje midis dizajnit intuitiv dhe dimensioneve psikologjike, duke ridefinuar dinamikën hapësinore në edukimin e hershëm të fëmijëve. Përtej të qenit përpjekje arkitekturore, ai paraqet një mësymje për ta riparë horizontin e të mësuarit, përmes lenteve të fëmiut, i cili kërkon rehati dhe siguri. Në një mënyrë, kemi sfiduar paradigmat konvencionale të edukimit duke krijuar hapësira që harmonizojnë shtysat e brendshme për rehati, përkatësi dhe për të hulumtuar, të cilat bëhen pjesë e jona që në fëmijëri. Kështu, ky lloj i çerdhe-kopshtit kalon përtej formave tradicionale të edukimit, duke ofruar një ambient shumëdimensional që i jep ngjyrat e nevojshme fëmijërisë. Në thelb të konceptit të “Folesë” është të kuptuarit se ambienti luan rol thelbësor në zhvillimin e fëmiut. Është tanimë e dokumentar rëndësia e krijimit të një ambienti të sigurt, të cilin fëmiu e njeh, në rrënjosjen e ndjenjave të sigurisë dhe përkatësisë. Duke dizajnuar hapësira që u përgjajnë atyre të shtëpisë, ne kemi synuar që ta mbështesim zhvillimin kognitiv dhe emocional të fëmiut, duke bërë që dalja e tyre e parë midis të tjerëve të jetë më miqësore. Filozofia prapa dizajnit të “Folesë” ka në thelb krijimin e një kapërcimi pothuaj të pavërejtshëm midis rehatisë së shtëpisë dhe hapësirave edukative në çerdhe-kopsht. Çdo aspekt i dizajnit, përfshirë atë të brendshëm, që prej materialeve, formave dhe ngjyrave, është krijuar me kujdes ashtu që të krijojë idenë e përkatësisë dhe ngrohtësisë. Jemi të bindur që “Foleja” përfaqëson një përpjekje të ndryshme dhe krejt të veçantë në edukimin e hershëm, ku kufijtë midis shtëpisë dhe shkollës bëhen vështirë të dalllueshëm, duke krijuar hapësira që, po aq sa janë edukative, janë të këndshme. Ndërthurja e disa fushave në krijimin e këtij koncepti bën që “Foleja” të mund të quhet ambient gjithëpërfshirës, që i përgatit fëmijët jo vetëm në rrafshin edukativ, por edhe në atë social dhe emocional”.