Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Berlin është pritur me një ceremoni zyrtare nga kancelari gjerman Olaf Scholz.
Rama fillimisht po zhvillon një takim me kancelarin gjerman në Kancelarinë Federale, me fokus koordinimin në kuadrin e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Shqipëria, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve.
Ndër të tjera, mes tyre do të diskutohet mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e ekonomisë dhe të politikës së jashtme, si dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pas takimit mes tyre, do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Rama do të takohet ndër të tjera me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku do të diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj, raporton Top Channel.
Po ashtu, ai do të vizitojë Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 mijë ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave do të jetë edhe stenda shqiptare.
Disa ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se në takimin me Scholz do të caktohet data e samitit të Tiranës.
Pjesë e diskutimeve pritet të jenë çështjet mes dy vendeve.
Në Berlin do të mbahet një panair turistik, ku do të prezantohen pikat kryesore turistike të Shqipërisë, duke paraqitur kështu një formë pakete destinacioni.