Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me propozimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për vendosjen e KFOR-it nën kontrollin e veriut të Kosovës, në një intervistë për Istraga-n që do të publikohet të dielën, ka hedhur poshtë idenë për diçka të tillë.
Ai ka theksuar se në çdo pjesë të vendit e para përgjigjet Policia e Kosovës, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i.
Kurti gjithashtu ka theksuar se përveç përmbajtjes së rregullave të sigurisë aktuale, ata kanë nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë së Kosovës dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar” , ka deklaruar Kurti.
Kosovski premijer @albinkurti za @IstragaB sedmice @HayatMediaBIH o prijedlogu albanskog premijera Edia Rame da KFOR preuzme kontrolu nad sjeverom Kosova: “Nama trebaju zajedničke patrole naše policije i KFOR-a po granici između Kosova i Srbije. A što se tiče drugih stvari, to… pic.twitter.com/qN6yiI0ewE
— Istraga.ba (@IstragaB) September 28, 2023
Kryeministri Rama, ka bërë thirrje që KFOR-i ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës për të parandaluar ndonjë konflikt më të madh, që, sipas tij, sot është më i mundshëm se asnjëherë më parë.
Në një konferencë për media të enjten, Rama ka thënë se një gjë të tillë e ka propozuar edhe në samitin e NATO-s.
Rama, po ashtu, ka thënë se kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të dënohet pa ekuivok vrasja e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të dielën.
E po ashtu ai ka kërkuar të dënohet veprimi i Serbisë që shpalli ditë zie të mërkurën për sulmuesit e vrarë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit të dielën.
Ndryshe, më 24 shtator, grupi që fillimisht sulmoi policinë e cila po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në Manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi sulmet ndaj policisë.
Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera, që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, policia bëri të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.
Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.