Rama: Putin vazhdimisht i referohet Kosovës, duhet të parandalojmë me çdo kusht që të ndodhë diçka e keqe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Der Spiegel ka folur për Kosovën e Serbinë dhe po ashtu për situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor

Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama





Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për gazetën gjermane, Der Spiegel, krahas shumë temave ka folur edhe për Kosovën dhe ndikimin rus në Ballkan.

Rama ka thënë se çështja e Kosovës po përdoret nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, teksa ka thënë se presidenti rus do të gëzohej nëse do të kishte konflikte në Ballkan.

“Putini do të ishte i gëzuar nëse do të kishte një konflikt diku në Ballkan. Shefi i Kremlinit ngacmon dhe provokon kudo që të mundet. Në fjalimet e tij, Putin vazhdimisht i referohet Kosovës, problemit më të dhimbshëm nga problemet e pazgjidhura në Ballkan. Duhet të parandalojmë me çdo kusht që të ndodhë diçka e keqe”, ka thënë Rama për Der Spiegel.

Duke folur për ndikim rus në Ballkan, Rama ka thënë se kjo vërehet më shumë në Serbi, ku sipas tij më shumë se 80 për qind e serbëve mendojnë pozitivisht për Putinin.

Kurse në Shqipëri, sipas Ramës, qeveria e ka organizuar një sondazh ku rezlutatet kanë treguar se popullariteti i Putinit është më pak se një për qind.

“Shumë e thellë. Më shumë se 80 për qind e serbëve mendojnë pozitivisht se si Putin po kundërshton aktualisht Perëndimin, por në Shqipëri popullariteti i tij është më pak se një për qind. Ky është rezultati i një sondazhi të kryer nga qeveria jonë, menjëherë pas fillimit të luftës. Ndikimi i Moskës në Serbi është i fortë, në pjesën serbe të Bosnjë-Hercegovinës është madje shumë i fortë. Rusia ka shumë ndikim te serbët. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ky ndikim mund të shndërrohet në diçka të tmerrshme”, është shprehur Rama për Der Spiegel.

Tutje, Rama ka thënë se “nuk mund të kërkosh shumë nga Beogradi tani” dhe se sipas tij “Serbia nuk mund ta sanksionojë Rusinë”.

I pyetur nga Der Spiegel se “Putinit i pëlqen të përdorë historinë e Kosovës si shabllon për pushtimin e Krimesë, Donjetskut dhe Luhanskut. A ka ai si pikë faktet që NATO bombardoi Beogradin dhe pushtoi Kosovën pa mandat të OKB-së?”

Rama ka thënë se ky krahasim nuk qëndron, dhe se bombardimi i Serbisë është bërë që ta shpëtojnë popullin e Kosovës nga spastrimi etnik.

“Arsyeja e vetme që nuk kishte mandat ishte se Rusia dhe Kina votuan kundër. Aneksimi i Krimesë ndjek një model imperialist, si sulmi ndaj Ukrainës, një vend sovran dhe demokratik. Bombardimi i Beogradit dhe çlirimi i Kosovës në atë kohë, nga ana tjetër, i shërbeu qëllimit për të shpëtuar popullsinë nga spastrimi etnik. Dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më në fund konfirmoi pavarësinë e Kosovës si akt të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka potencuar se gjendja e tanishme në Ballkanin Perëndimor është më mirë sesa ka qenë në të kaluarën.





Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika